Regjisori Qosja: E vërteta përmes filmit tmerronte komunistët serbë

Kinematografia kosovare hapat e saja të para i bëri në kushte të vështira dhe nën presionin e politikës moniste dhe diskriminimit në të gjitha fushat, që përjetonin shqiptarët në ish -Jugosllavinë komuniste.

Megjithatë vullneti dhe entuziazmi i atyre pak kineastëve, në vitet 70-80’ të shekullit të kaluar, që dolën nga shkollat jugosllave të filmit, qoftë nga Zagrebi, Beogradi etj., tejkaloi pengesat dhe arriti të sjellë filma të guximshëm, që trajtonin probleme me të cilat u përballën shqiptarët sidomos në kohën e Rankoviqit.

Këto konludime dolën gjatë debati të organizuar nga ‘ForumZFD’, programi në Kosovë, për trajtimin që filmi kosovar u bënte temave sociale gjatë kohës komuniste.

Gjatë këtij debati të mbajtur dje vonë në Qendrën Multimedia, moderuar nga Sezgin Boynik në bashkëbisedim i ftuar ishte regjisori Isa Qosja.

Para debatit u shfaq filmi “Rojet e mjegullës” me regji të Isa Qosjes, i realizuar nga “Kosovafilmi”  më 1987.

Duke marrë filmin “Rojet e mjegullës” si pikënisje të bashkëbisedimit, regjisori Qosja tregoi për sfidat e të bërit film në një sistem monist, sidomos përballë politikës serbe, e cila luftonte të vërtetën edhe në veprat kinematografike.

Qosja ka thënë se filmi, për shkak të temës dhe simboleve të cila ai i kishte përdorur për të rrëfyer dhunë ndaj shqiptarëve gjatë viteve 1960, ishte sulmuar ashpër nga çarqet serbe, duke përfshirë edhe ato kulturore.

“Pas shfaqjes së premierës së filmit në festivalin e Pulës në Kroaci, më 1978, shpërthyen akuzat, sidomos nga gazetarë dhe kineastë serbë, që tentuan që filmi të shpallej pamflet politik për t’i hapur rrugë arrestimeve. Serbët nuk mund ta pranonin dëshminë, se ne tani dinim për atë çfarë na kanë bërë”, ka thënë Qosja, duke shtuar se për shkak të presionit filmi ishte ndaluar për t`u shfaqur në Prizren.

Madje, ai ka treguar se gjatë xhirimeve, ekipi serb kishte ndërprerë xhirimin, pasi kishte parë fotografinë e Aleksandër Rankoviqit në një skenë filmi.

“Ky film ka drithërime në secilën fotografi, sepse kemi pas një pjesë të ekipit nga Serbia, të cilët në një moment kur e kanë parë fotografinë e Ranoviqit në një kënd, janë rebeluar dhe kanë ndërprerë xhirimin dhe ne nuk kemi ditur nëse do të vazhdojmë”, ka thënë ai.

Regjisori Qosja ka folur edhe për sfidat e zhvillimit të filmit në Kosovës, duke çmuar rolin e Azem Shkrelit për zhvillimin e filmit kosovar.

Qosja ka folur edhe për zhvillimet e sotme në kinematografi, që sipas tij lënë shumë për të dëshiruar. Ai ka thënë se edhe sot ka një lloj censure që ai e quajti folklorike dhe glorifikuese.

“Kur kemi realizuar filmit ‘Tri dritare dhe një varje’ që flet për dhunimin e grave gjatë luftës, unë kamë marrë kritika nga njerëz me ndikim të madh të politikës, të cilët thoshin se është ende herët për trajtimin e një teme tillë. Edhe tash ekziston ajo censurë e zhvendosur dhe e parafrazuar në tjetër mënyrë”, ka thënë regjisori Qosja.

Qosja ka folur edhe për trajtimin e personazhit të gruas në filmat tanë.

“Konsiderojë se ne merremi me tema që nuk trajtojnë aq sa duhet fatin e njeriut dhe me këtë edhe fatin e gruas, me ndonjë se ka shumë hapësirë për t`u trajtuar fati i personazhit gruar në kinemanë shqiptare të Kosovës”, është shprehur ai.

“Rojet e mjegullës” (1987)  i zhanrit dramë, realizuar nga ‘Kosovafilmi’, është i bazuar në romanin ‘Vdekja më vjen prej syve të tillë’ të Rexhep Qosjes.

Filmi ndërthur imazhet dhe realitetin e përvojave të një shkrimtari brenda regjimit totalitar. Në kohën e Titos, kur sistemi policor i Aleksandar Rankoviq ushtronte dhunë ndaj popullatës shqiptare, ky intelektual vuante pasojat e terrorit shtetëror.

Pavarësisht kritikave nga ana e Serbisë, filmi “Rojet e mjegullës” kishte marrë vlerësime edhe për shkak të temës universale që trajton.