Regjisor Sele sjell dokumentarin e parë shkencor në Kosovë

Në fillim të muajit mars, regjisori Bekim Sele do të prezantojë filmin dokumentar shkencor- artistik  ‘Gjurmë’, një film i cili trajton çështjen e simboleve në kinematografi.

Filmi “Gjurmë” me skenar dhe regji të Seles është i pari i këtij lloji në Kosovë dhe ofron shkurtimisht një përmbledhje të përgjithshme të njohurive rreth simboleve në përgjithësi, që nga studiuesit me të njohur të simbolit e deri tek klasikët më të mëdhenj të kinematografisë botërore të cilët kanë përdorur simbole të shumta në filmat e tyre.

Në një bisedë për KALLXO.com regjisori Sele thotë se në kinematografi simbolet janë në qendër të jetës krijuese, ato janë bërthama e saj, e hapin rrugën kah e panjohura, dhe e zgjojnë kuptimin tonë estetik.

Njerëzit, sipas tij,  që nga lashtësia jetojnë më botën e simboleve dhe bota e simboleve vazhdon të jetojë me ta.

“Në kinematografi, simbolet janë në qendër të jetës krijuese, ato janë bërthama e sajë, e hapin rrugën ka e panjohura, dhe e zgjojnë kuptimin tonë estetik. Kuptimi dhe përdorimi i simboleve në film, nuk është i dhënë përgjithmonë, e as që është i njëjtë për të gjithë. Në filmin dokumentar “Gjurmë” pos tjerash, ne shohim se si regjisori Isa Qosja, përmes gjuhës simbolike që ka përdorur në filmat e tij, tregon se si shoqëria shqiptare është e pa aftë të mbijetojë përmes llojit të vet”, ka thënë regjisori Sela, profesor në Degën e regjisë së Filmit në Fakultetin e Arteve në Pejë.

Film “Gjurmë” është i pari i këtij lloji në Kosovë dhe ofron shkurtimisht një përmbledhje të përgjithshme të njohurive rreth simboleve në përgjithësi, që nga studiuesit me të njohur të simbolit e deri tek klasikët më të mëdhenj të kinematografisë botërore të cilët kanë përdorur simbole të shumta në filmat e tyre.

Ky film, shton Sela më tej, mëton të jetë një kontribut i veçantë në krijimtarinë artistike dhe atë teorike, si dhe ofron një pasqyrë dhe analizë të mbështetur në faktet shkencore duke na bërë të mundur, ta njohim, kuptojmë dhe lexojmë drejtë, gjuhën simbolike dhe përfshirjen e tyre në filma.

“Filmi dokumentar, mbështetet në të dhëna shkencore, dhe do të mund të përdoret nga të gjithë film-bërësit, dhe të interesuarit tjerë si: studentët, artistët, studiuesit, profesorët etj., të cilët janë të interesuar për tu thelluar edhe më shumë në gjuhen poetike – estetike të filmit. Po ashtu, përmes këtij filmi, mund ta lexojnë dhe kuptojnë drejtë dhe  paanshëm, qasjen,  përdorimin dhe kuptimin e gjuhës simbolike”, ka thënë ai për KALLXO.com