Piktorja Alije Vokshi - Foto: Atdhe Mulla

E harruam Alije Vokshin!

Shpirti i saj tashmë ka udhëtuar drejt parajsës, drejt shtigjeve të pa përvojë. Xhamat e djersitur e të avulluar tashmë vizatohen nga një dorë e tejdukshme, një dorë e cila nga parajsa shtyn gjurmët.

Në këto xhama shohim portrete dhe akte. Artistët nuk vdesin, ata jetojnë dy herë. Ata në shfaqen kudo, në ekran, pikturat e tyre jetësohen nëpër mure të dhomave të shtëpive, Muzeve, Galerive dhe kafeterive.

Nuk mund të themi se piktorja Alije Vokshi ka vdekur, ka ikur, ka ndërruar jetë, ose u përjetësua. Vokshi jeton sepse mbijeton arti i saj. Tash të gjithë e kujtojnë nëpër rrjete sociale, askush nuk e dëgjoj zërin e saj derisa dergjej në vetmi.

Tash secili nga ne e gdhendim si një statujë ikonike, me sy të njomur që shkëlqenin nga reflektimi i dritës. Kujtojmë atë buzëqeshje rreth gojës që shoqërohej gjithnjë me falënderim. Nuk mund të kujtojmë dhimbjen e ditëve të pleqërisë e cila asnjëherë nuk u zhduk.

Artisti në prag të vdekjes asnjëherë nuk është i paduruar para jetës sepse e dinte bukurinë dhe pasurinë e saj që e shfaqte në telajo. Realitetin e hidhur të mbuluar me shumë perde, Vokshi shprehte atë lakuriqësinë e tij, atë sakrificën e ndaluar e besa edhe të obliguar nga një mentalitet i hidhur i cili ishte prezent vite me parë.

Artisti është si një magjistër dhe parashikues dhe pak nga ne u interesuam për magjinë e saj e cila tashmë jeton në vepra. E harruam Alijen sikur po i harrojmë të gjithë artistët e vjetër. E lamë të vetmuar, të dergjej brenda vetvetes dhe ja, erdhi kjo ditë e cila po na pret të gjithëve duar hapur dhe gëzim të thellë.

Në pikturë Vokshi paraqiti motive nga veshjet tona, zakonet e fshatarëve, sakrifica e tyre, puna dhe mundi. Dominonte figura e gruas dhe e burrit. Gruaja paraqitej në pozicion të ulur, me shuplaka të dorës së zmadhuara si simbol i punës ditore, fizike, përkushtimit rreth shtëpisë.

Madje vëreheshin edhe të qarat nëpër shuplaka të dorës. Shpirti dhe rezistenca e gruas përballë stuhisë dhe sfidës jetësore, ishin nga imazhet dhe problemet të cilat Vokshi i jetësoi në pikturë.

Në një punim shihet një plakë e këndshme dhe shumë gazmore, duart i mban njërën mbi tjetrën. Qëndrimi i saj i drejtë, krenar aspak lodhës me gjithë atë sakrificë që e bënë. Një burrë në moshë të shtyrë me plis në kokë, në pozicion të ulur, me duar të mbështetura mbi këmbët e tij, duket i lodhur i rraskapitur nga puna. Figura e njeriut, jeta e tij, mundi i tij, punët fizike janë disa nga motivet në veprat e Vokshit.

Ngjyrat në fytyrë janë oker, me reflesk drite krahas kostumit të zi ose kafe që nxjerr në pah kontrastin e fytyrës. Prapavija është e zbrazët pa ndonjë figurë, me ngjyrë me shtresë të hollë krahas figurës.

Piktorja Alije Vokshi ishte gruaja e parë shqiptare nga Kosova që diplomoi për pikturë. Vokshi u lind në vitin 1945 në Prishtinë. Ka mbaruar Shkollën Pedagogjike në Prishtinë, ndërsa përfundoi studimet e magjistraturës në Beograd në vitin 1981. Ajo kreu edhe një vit specializim në Paris dhe më pastaj u angazhua deri në pensionim, si ligjëruese në Fakultetin e Arteve të Universitetit të Prishtinës nga viti 1974-2015. Alije Vokshi vdiç të hënën, më 31 janar 2022) në moshën 77 vjeçare.

Ilir Muharremi, kritik i artit, shkrimtar, veprimtarinë e krijuese e zhvillon midis Prishtinës, Italisë dhe Ballkanit. Ka doktoruar për arte dhe punon si profesor në Fakultetin e Edukimit dhe të Arteve në Prishtinë. Është autori i disa dramave dhe romanit “Psycho” (I,II).