Realiteti i konvertuar në shfaqje sot në Teatrin Kombëtar

 Shfaqja nga Luigji Pirandello “Gjashtë personazhe kërkojnë autorin” do fillojë sot për tre ditë me radhë në Teatrin Kombëtar të Kosovës.

Kjo satirë me regji të Orhan Kerkezit pasqyron natyrën tragji-komike të ekzistencës, si dhe probleme të karakterit psikologjik, social, filozofik dhe universal. Drama është konvertim i realitetit jetësor dhe atij skenik.

Drama e fateve tragjike dhe e historive do të rrëfehet nga personazhet. Ndërsa komedia vjen nga konfliktet me kthesa të humorit për përcaktimin se kush janë më të rëndësishëm, personazhet e dramës apo aktorët.

“Gjashtë personazhe kërkojnë autorin” shpërfaq dramën e fuqishme sociale që prek plagët e shoqërisë si degradimi i qelizës sociale-familjes, përmes prostitucioni, incesti që janë manifestim i kushteve të dobëta ekonomike.