Arben Zharku

Rasti Zharku, drejt epilogut

Në shkurt të 2022 bëhen 4 vjet nga emërimi i Arben Zharku në mandatin e dytë si drejtor i Qendrës Kinematografike të Kosovës.

Deri atëherë Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit duhet të verifikojë apo jo pretendimet e Këshillit Drejtues të QKK-së, për keqmenaxhim të fondeve publike, që shteti ka ndarë për mbështetjen e filmit, të cilat shpërndahen dhe mbikëqyren nga QKK-ja.

Një Komisioni i dytë Disiplinor i MKRS-së, dy ditë më parë, ka rikonfirmuar edhe një herë pjesërisht pretendimet e KD-së së QKK-së në lidhje me akuzat ndaj Zharkut.

Tani i takon këtij të fundit të shfrytëzojë afatet ligjore për të kundërshtuar akuzat e pretenduara, para se ministri i Kulturës, të marrë një vendim lidhur me shkarkimin apo jo të tij, nga pozita e drejtorit të QKK-së.

Koha për ankesa

Bislim Bislimi, kryetar i Këshillit Drejtues të QKK-së ka thënë në një prononcim për KALLXO.com se edhe komisioni i dytë disiplinor i emëruar nga organi kompetent, që në këtë rast është ministri i Kulturës, ka konstatuar pjesërisht, akuzat e ngritura nga KD-ja i QKK-së ndaj Zharkut.

“Duke qenë se aktualisht është kryer vetëm faza e parë e shqyrtimit dhe vendosjes administrative, ministri ende nuk ka vepruar për shkak se procedura administrative ka edhe fazën e dytë e që është faza e mjeteve juridike administrative pra, mundësia që pala të kundërshtojë në procedurë administrative këtë epilog të konkluduar në shkallë të parë të përsëritur. Vetëm pasi të kemi përfundim të shqyrtimit të plotë (të dy fazave) të shqyrtimit administrativ, ministri konform kësaj gjendjeje, vendosë nëse ka bazë për të vepruar ose jo”, ka thënë Bislimi.

Sipas tij, aktualisht është duke rrjedhur afati i ankesave dhe për momentin Këshilli (KD i TKK-së) konsideron se kjo procedurë është në rrjedhën e saj sipas ligjeve në fuqi dhe në momentin kur të përfundojë i gjithë procesi në shqyrtim administrativ, do të mblidhet për të diskutuar hapat e mëtejmë, nëse ka nevojë.

KALLXO.com ka bërë pyetje në adresë të drejtorit të suspenduar të QKKK-së, Arben Zharku, po ai nuk ka kthyer përgjigje deri në publikimin e artikullit.

Nisma për shkarkimin

Në muajin korrik, Zharku u suspendua nga pozita e drejtorit të QKK-së, dhe në muajin gusht Komisioni Disiplinor i formuar nga MKRS, verifikoi pjesërisht akuzat KD-së së QKK-së, ndaj Zharkut, duke marrë vendim për shkarkimin e tij. Por, një muaj më pas Komisioni për Zgjidhjen e Kontesteve dhe Ankesave në MKSR rrëzoi vendimin e Komisionit me arsyen se ai kishte kaluar afatet ligjore, dhe se vendimin për shkarkim e merr vetëm ministri.

Por, KZKA i verifikojë pjesërisht akuzat e KD-së së QKK-së ndaj Zharkut, si çështje e borxhit, mosinkasimin e të hyrave nga veprimtaria ekonomike e projekteve të financuara nga QKK-ja dhe favorizimin për filmin “Exil”.

Më pas, MKRS formoi një Komision të ri Disiplinor i cili, duke korrigjuar të pari, doli me propozimin se ndaj Zharkut duhet të merret masa disiplinore “largim nga Shërbimi Civil”.

“Sipas procedurës së parashikuar në Ligjin për Zyrtarët Publik dhe në afatin ligjor, pra duke e eliminuar shkeljen e ndodhur në inicimin e parë, Komisioni i Disiplinës ka rishqyrtuar të gjithë dosjen e kësaj procedure dhe ka marrë vendimin e vet me të cilin ka konstatuar se janë vërtetuar pjesërisht pretendimet e Këshillit Drejtues dhe se pjesa e vërtetuar e pretendimeve, janë shkelje që shkaktojnë/imponojnë nevojën e marrjes së masës disiplinore – largim nga shërbimi publik”, ka thënë Bislim Bislimi, kryetari i KD-së të TKK-së.

Akuzat ndaj Zharkut

I emëruar në maj të 2021, Këshilli i ri Drejtues i Qendrës Kinematografike, menjëherë nisi verifikimin e mundshëm të shkeljeve ligjore dhe keqpërdorimit të parasë publike dedikuar filmit nga Arben Zharku.

KD e akuzoi Zharkun për futje në borxhe të QKK-së, mbështetje joligjore për filmin “EXIL”, mosinkasim të fitimit të përpjesëtuar nga veprimtaria ekonomik e filmave të bashkëfinancuar dhe plasim të informacioneve të pasakta për QKK-në. Komisioni i ri Disiplinor konstatoi se akuzat e KD-së ndaj Zharkut janë të qëndrueshme pjesërisht, duke propozuar shkarkimin e tij nga pozita e drejtorit të QKK-së.

Zharku është akuzuar në vazhdimësi nga pjesëtarë të komunitetit artistik për keqmenaxhim në QKK dhe është kërkuar shkarkimi i tij.

Një hetim në QKK nga organet kompetente, është kërkuar edhe nga vetë ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku.

Shkarkimi i drejtorit sipas ligjit

Sipas ligjit për Kinematografinë, emërimi dhe shkarkimi i drejtorit të Qendrës Kinematografike të Kosovës bëhet nga ministri i Kulturës, me propozim të KD-së së QKK-së.

“Shkarkimi i drejtorit bëhet po me vendim të ministrit për Kulturë në përputhje me ligjin dhe statutin e QKK”, thuhet në nenin 32. pika 5 të ligjit për Kinematografinë.

Drejtori i QKK-së zgjidhte për një mandat 4 vjeçar.