QKK tregon arsyen e mospublikimit të shumave financiare për projektet e mbështetura filmike

Buxheti total për këtë vit i Qendrës Kinematografike të Kosovës (QKK) është 1,322,964 euro. Ndërsa, për mbështetje të projekteve në dispozicion janë 1,067,176 euro.

Por, ky buxhet mund të rritet gjatë kësaj jave.

Pritja për një rritje të buxhetit nga ana e Qeverisë së Kosovës është arsyeja që QKK nuk ka bërë publike edhe shumën financiare të ofruar si mbështetje për secilin projekt, me publikimin e rezultateve të konkursit të 28 shtatorit 2021.

Lum Çitaku, zëvendësues i drejtorit të QKK-së, ka thënë për KALLXO.com se Minisria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit konsideron buxheti për projektet kinematografike mund të rritet ende. Ai ka thënë se QKK është në procedurë të zhvillimit të kërkesave buxhetore me Ministrinë e Financave, me qëllim që të ketë edhe një rritje tjetër të buxhetit për QKK-në përmes procesit të lëvizjeve buxhetore që i lejohen Qeverisë t’i autorizojë këto rirregullime në periudhën e fundit të vitit.

“Për këtë është vendosur që përcaktimi i buxhetit të projekteve të mos mbyllet së paku deri këtë javës, kur edhe pritet të kemi vendimin e Qeverisë, në mënyrë që më pas, të bëhet e mundur rritja eventuale e shumave të projekteve filmike”, ka thënë Çitaku.

Në fillim për QKK-në janë ndarë 843,500 euro, por pas rishikimit dhe ridestinimit i janë shtuar edhe 364,926 euro buxhet për projektet filmike dhe në total kjo shumë ka shkuar në 1,208, 426 milionë euro.

“Në këtë shumë (1,208,426 milionë euro) duhet të merret parasysh obligimi për mbështetjen e filmave kosovar në kampanjën ‘Oscar’. Në këtë rrjedhë, pra me ndarjet aktuale sipas ligjeve vjetore të buxhetit (ligjit bazik dhe atij për ndryshimin dhe plotësimin e tij) dhe vendimit të Qeverisë për ridestinim, nënkuptohet se janë të disponueshme 1,067,176 euro”, ka thënë Çitaku.

Javën e kaluar QKK-ja ka publikuar listën e projekteve përfituese filmike për 2021.

Por, për dallim nga vitet e kaluara, QKK-ja nuk ka bërë të ditura shumën financiare të ndara për projektet fituese.

Në vitin 2021, QKK ka mbështetur 22 projekte filmike në kategori të ndryshme.

QKK-ja ka mbështetur 5 projekte të filmit të metrazhit të gjatë artistik, 4 në kategorinë e koproduksionit minor, 2 në kategorinë e filmit të regjisorëve debutues, 4 projekte për zhvillim skenari për film të metrazhit të gjatë, 4 në kategorinë e filmit të metrazhit të shkurtër artistik, 2 projekte për film të metrazhit të gjatë dokumentar dhe një projekt në kategorinë e filmit të metrazhit të shkurtër dokumentar.