QKK-ja hap thirrjen për propozime për OSCAR

Qendra Kinematografike e Kosovës ka hapur thirrjen përzgjedhjen e filmit kosovar që do të përfaqësojë Kosovën në edicionin e ardhshëm të çmimeve OSCAR.

Përmes një njoftimi QKK-ja fton të gjithë të interesuarit që të dërgojnë propozime për garën për çmimin OSCAR për kategorinë për film në gjuhë të huaj, i cili mund ta përfaqësojë Kosovën këtë vit.

Sipas QKK-së, të drejtën e konkurrimit e kanë të gjithë filmat e metrazhit të gjatë nga Kosova që janë shfaqur apo do të shfaqen për shtatë ditë rresht në kinematë e Kosovës duke filluar nga data 1 Tetor 2018 dhe jo më larg se data 30 Shtator 2019 dhe të cilët i plotësojnë kushtet tjera të vëna nga “Academy of Motion Picture Arts and Sciences”.

Data e fundit për dërgimin e propozimeve është 15 shtator 2019.