QKK fton skenaristët kosovarë në punëtorinë ‘Shkrimi i skenarit për serial televiziv’

Për pesë ditë me radhë, nga 23 deri më 27 shtator 2019, Jill Goldsmith, skenariste dhe producente amerikane, do të trajnojë skenaristët kosovarë rreth shkrimit të skenarëve për seri televizive.

Trajnimi i skenaristëve kosovarë është mundësuar nga Ambasada Amerikane në Kosovë, American Film Showcase, dhe Qendra Kinematografike e Kosovës, të cilat do të organizojnë punëtorinë 5 ditore, “Shkrimi i skenarit për serial televiziv”, për filmbërësit, skenaristët dhe producentët kosovarë.

Përmes një njoftimi, QKK bën të ditur se ka hapur thirrje për aplikim për punëtorinë “Shkrimi i Skenarit për Serial Televiziv” me skenaristen dhe producenten e njohur amerikane Jill Goldsmith, punëtori e cila do të mbahen nga 23 deri 27 shtator në Prishtinë.

Sipas QKK-së, Jill Goldsmith është skenariste dhe producente që ka shkruar dhe prodhuar për seriale fituese të çmimeve Emmy si NYPD Blue, The Practice, Ally McBeal, Law & Order, and Boston Legal, dhe në 2008 ka qenë finaliste për Humanitas Prize, dhe ka qenë folëse në universitete, konferenca, dhe programe të shkrimit të skenarëve.

Të gjithë skenaristët që duan të jenë pjesë e kësaj punëtori duhet që deri më 8 shtator 2019 të dërgojnë CV-të dhe letër-deklaratën motivuese në QKK.