Qeveria miraton tarifat për shfrytëzimin e të drejtave të autorit  

Qeveria e Kosovës ka miratuar tarifat për shfrytëzimin e të drejtave të autorit dhe pronës intelektuale. Në mbledhjen e fundit të saj, me kërkesë të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Qeveria e Kosovës ka aprovuar tarifat e përgjithshme që tani e tutje duhet të paguajnë shfrytëzuesit e kësaj prone.

“Qeveria e Kosovës, duke vepruar sipas propozimit të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ka miratuar vendimin për aprovimin e Tarifave të Përgjithshme për shfrytëzimin e lëndës së mbrojtur në rastin e ritransmetimit”, thuhet në vendimi e qeverisë.

Tarifat e këtij vendimi bazohen sipas grupimit të kanaleve televizive:

  1. Deri në 70 kanale televizive – 0.30 euro për abonues;
  2. Nga 71 deri në 100 kanale televizive – 0.35 euro për abonues;
  3. Nga 101 deri në 150 kanale televizive – 0.40 euro për abonues; dhe
  4. Mbi 151 kanale televizive – 0.45 euro për abonues.

Vendimi, sipas qeverisë siguron zbatimin e Ligjit për të drejtën e autorit dhe obligon të gjithë operatorët kabllorë dhe subjektet tjera që bëjnë ritransmetim të kanaleve televizive t’i përmbahen këtij vendimi.