Qendra Kinematografike publikon raportin për 2019-ën

Mbi një milion euro janë dhënë këtë vit nga Qendra Kinematografike e Kosovës për mbështetje të prodhimit të filmit kosovar.

QKK -ja ende mbetet burimi kryesor i të ardhurave për produksionet kosovare për prodhimin e filmave të tyre.

Sipas të dhënave të raportit të aktiviteteve të QKK-së, gjatë 2019-ës kjo qendër ka mbështetur 29 filma të zhanreve të ndryshme me një vlerë prej mbi 1,279,000 eurove.

Realizimi i këtyre projekteve kërkon disa vite, veçmas për filmat e metrazhit të gjatë.

Po gjatë këtij viti janë dhënë premierat e 7 filmave të realizuar me fondet e QKK-së, dhe në bashkëprodhim me qendrat e filmit nga Maqedonia, Shqipëria dhe produksione nga shtete evropiane.

6 prej këtyre filmave premierat e tyre i patën në festivale të rëndësishme botërore.

Sipas QKK-së viti 2019 ishte një vit i mbarë për produksionet filmike, duke pasur parasysh çmimet e fituara në festivale ndërkombëtare dhe shfaqjet në kinematë evropiane apo amerikane.

Ndërsa evidenton dhe pjesëmarrjen e filmave në festivale të huaja, dhe çmimet.

“Pesë aktorët nga filmi ‘Shpia e Agës’, Rozafa Çelaj, Adriana Matoshi, Shengyl Ismajli, Melihate Qena dhe Rebeka Qena shpallën aktoret më të mira të festivalit në ‘FilmFestival Cottbus’ në Gjermani ; Dy çmime për filmin ‘Shpia e Agës’ në Stamboll në Bogazici Film Festival; ‘Në mes’ nga Samir Karahoda ka fituar çmim në kategorinë e filmit të shkurtër në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Vilnius të Lituanisë; More Raça me filmin  “Galaktika e Andromedës” në Festivalin Ndërkombëtar të San Sebastian-it në Spanjë fitoi çmimin e Glocal in Progress, ndërsa në ‘Just Film Works in Progress’ në ‘Black Nights Film Festival’ i jep çmimin filmit ‘Familja’ të Durim Kryeziut”, thuhet në raportin e aktiviteteve të QKK-së për 2019.

Këtë vit filmi “Zana” i Antoneta Kastratit është përzgjedhur për të përfaqësuar Kosovën në garën e filmit “OSCAR”.

Por, pavarësisht raportit dhe sukseseve të renditura nga QKK-ja, për kineastët tanë prodhim dhe cilësia e filmave tanë mbetet ende larg synimeve.

Aktori Naim Berisha, ka pohuar për Kallxo.com se kinematografia gjatë 2019 pati një përmirësim të lehtë kualitativ, por jo edhe ngritje në ndonjë  nivel domëthënës reprezentativ.

E gjithë kjo, sipas tij, për shkak se kinematografia këtu ende funksionon brenda një kornizeje të mbyllur, me ekipe kryesisht klanore përfaqësimi duke mos pasur kurajon të hapet, për të përfshirë kualitete më të larmishme artistike e veçmas interpretative brenda saj.

“Një faktor kyç që po e mbanë të kornizuar kinematografinë tonë, është edhe vazhdimi i centralizimit të fondeve mbështetëse të kësaj dege të artit, ku shpesh herë më të mirët eliminohen në start e mbështetën “emrat” që i ka krijuar e kaluara në rrethana tjera, por që nuk ofrojnë përfaqësim të kënaqshëm artistik përveç përsëritjes në qasje”, ka thënë Berisha.

Ndërsa, regjisori Mahir Musliu thotë se Kosova gjatë një viti kalendarik nuk arrin të përmbyll shumë filma artistik të metrazhit të gjatë dhe kjo shihet si hendikap i përzgjedhjes.

“Ndonëse kur realizohen më shumë ka mundësi përzgjedhje si nga aspekti zhanor ashtu edhe nga ai artistik e tematik. Kemi pasur një vit me suksese minore, ka filma që nuk po i nënshtrohen syrit të publikut, kurse disa te tjerë vetmjaftohen me rrëmbim trofesh nëpër festivale të paverifikuara. Pra ky vitë që shkoj ishte i zi, viti që vjen, në mos i bardh të paktën qoftë gri”, ka thënë ai.