Qendra Kinematografike nis shfaqjen e filmave premierë në televizione dhe mediume online

Produksionet filmike kosovare në bashkëpunim edhe me Qendrën Kinematografike të Kosovës do të shfaqin premierat e tyre filmike në televizione dhe platforma online.

Përmes një njoftimi në Facebook, Qendra Kinematografike bën të ditur se në bashkëpunim me filmbërësit kosovarë, projektet e të cilëve i ka mbështetur viteve të fundit, do të sjellin premiera të ndryshme filmike të cilat do të shfaqen në platforma të ndryshme televizive dhe mediume online.

“Këto prodhime dhe bashkëprodhime kosovare do të transmetohen për publikun gjatë këtyre ditëve dhe javëve të ardhshme duke filluar këtë të dielë nga ora 20:30 në KTV me filmin “T’padashtun” nga Edon Rizvanolli dhe në ora 21:00 në TV21 filmin “Një tregim Prishtine” të regjisores Burbuqe Berisha”, thuhet në njoftimin e QKK-së.

Që nga 12 marsi  të gjitha aktivitetet kulturore, duke përfshirë edhe shfaqjen e filamve në kinema janë anuluar për shkak të përhapjes së coronavirusit.

Disa prej institucioneve tashmë kanë nisur prezantimin e aktiviteteve të tyre në mënyrë virtuale, përmes platformave online, sidomos Facebook-ut.