Qendra Kinematografike mbështet me 650 mijë euro 26 projekte filmike

Vetëm një javë pa përfunduar viti 2020, Qendra Kinematografike e Kosovës ka shpallur projektet fituese për këtë vit, sipas konkursit të hapur në muajin gusht.

Këtë vit, QKK-ja ka vendosur të mbështesë 26 projekte filmike në kategori të ndryshme.

QKK, përmes një njoftim ka bërë të ditur se vlera e mbështetjes për të gjitha projektet arrin mbi 650 mijë euro.

“Në kategorinë e filmit të metrazhit të gjatë artistik, debutant, postproduksion dhe bashkëprodhim minorë janë mbështetur 7 projekte; në kategorinë e filmit të shkurtë dhe gjatë dokumentar janë mbështetur 4 projekte, në kategorinë e filmit të shkurtë animacin dhe artistik 4 projekte dhe në kategorinë e konkursit për zhvillim skenari 11 projekte”, thuhet në njoftimin e QKK-së.

Por, këtë vit, QKK-ja nuk ka bërë publike shumë e ndarë për projektet veç e veç.

Anëtarë të jurisë që kanë bërë përzgjedhjen e projekteve filmike, në kategori të ndryshme, sipas QKK-së kanë qenë: Isa Qosja, Katriel Schorry, Lenka Tyrpakova, Ismet Sijarina, Ilir Gjocaj, Valton Beqiri, Agron Vula, Veton Nurkollari, Florent Mehmeti, Lura Limani, Besa Luci, Erson Zymberi, Shkelzen Maliqi, Ballsor Hoxha, Burbuqe Berisha dhe Zeni Ballazhi.