Qendra Kinematografike kujton Faruk Begollin në 12 vjetorin e vdekjes

Organizuar nga Qendra Kinematografike e Kosovës dhe ‘Kosovafilmi”, në bashkëpunim me Drejtorinë e Kulturës së Komunës së Prishtinës, më 23, 24 dhe 25 gusht 2019 do të mbahen Ditët e Filmit në kujtim të Faruk Begollit.

Për ta kujtuar Begollin, gjatë këtyre ditëve, çdo natë do të shfaqet një film në Kinemanë Cineplexx në Prishtinë.

QKK, përmes një njoftimi, bën të ditur se Ditët e Filmit organizohen me rastin e 12 vjetorit të vdekjes së aktorit kosovar.

“Ftohen të gjithë kolegët, studentët, adhuruesit, dhe filmdashësit të vijnë me 23, 24 dhe 25 gusht në kinemanë Cineplexx të shikojnë tre filma të përzgjedhur në të cilët luan Faruk Begolli”, thuhet në njoftimin e QKK-së.

Faruk Begolli është një ndër figurat më të rëndësishme të Teatrit dhe Kinematografisë kosovare dhe njëri ndër aktorët më të famshëm shqiptarë nga Kosova në ish-Jugosllavi.

Begolli ka studiuar në Akademinë e Filmit dhe Teatrit në Beograd ku ka diplomuar në vitin 1966.

Është bashkëthemelues i degës së Aktrimi të Fakultetit të Arteve të Universitetit të Prishtinës. Ndërsa në vitet e 90-ta ka bashkëthemeluar Teatrin “Dodona” në Prishtinë.

Faruk Begolli ka luajtur në më shumë se 60 filma.

 Orari i shfaqjes së filmave:

‘Era dhe Lisi’ – ora 20:00, kinemaja Cineplexx

‘Kur Pranvera Vonohet’ – ora 20:00, kinemaja Cineplexx

‘Proka’ – ora 20:00, kinemaja Cineplexx