Punëtorët e Ministrisë së Kulturës peticion institucioneve, kundërshtojnë largimin nga objekti

Punëtorët e Ministrisë së Kulturës kanë nënshkruar një peticion për të kundërshtuar largimin nga objekti aktual dhe atë e kanë dërguar në Presidencë dhe në Qeveri.

Labinot Berisha, kryetar i Sindikatës së Punëtorëve të MKRS ka thënë se ata kanë hyrë në ditën e tretë të protestës së tyre për të mos lejuar largimin e Ministrisë dhe vendosjen e saj në një objekt privat.

Ai ka deklaruar se ky kundërshtim për t’u larguar nga objekti nuk ka të bëjë me komoditetin e punëtorëve, por për të parandaluar që mjetet e taksapaguesve të shkojnë për të paguar qira.

Ndërsa ka thënë se punëtorët e MKRS-së kanë nënshkruar një peticion dhe atë e kanë adresuar tek institucione shtetërore dhe partitë politike.

“Këtë peticion që është nënshkruar nga mbi 100 punëtorë të kësaj Ministrie e kemi dërguar tek Presidenca, Qeveria dhe partitë politike”, ka thënë Berisha për Kallxo.com.

Ai ka thënë se protestat për kundërshtimin e zhvendosjes së MKRS-së në një objekt privat do të vazhdojnë dhe nesër.

Që nga e hëna punëtorët e kësaj Ministrie për çdo ditë në ora 10:00, për 10 minuta, janë duke protestuar kundër zhvendosjes së Ministrisë së Kulturës në një objekt privat.