Promovohet romani ‘Kusari” i Abdulaziz Al-Mahmud

Organizuar nga Shtëpia Botuese “Buzuku” në Prishtinë dhe Instituti i Studimeve Orientale, është promovuar sot në Bibliotekën Kombëtar “Pjetër Bogdani”,  romani i “Kusari” i Abdulaziz Al-Mahmud.

Romani i shkrimtarit nga Katari, Abdulaziz Al-Mahmud është përkthyer nga Ejup Ramadani me iniciativë të  Institutit të Studimeve Orientale në Prishtinë.

“Kusari” trajton zhvillimet që kishin karakterizuar Gadishullin arabik gjatë shekullit XIX dhe involvimin e luftëtarëve shqiptarë të Mehmet Ali Pashës së Egjiptit në atë pjesë të Arabisë.

Pjesë e promovimit të këtij libri ishte edhe autori Abdulaziz Al- Mahmud, i cili përveç që  foli për romanin e tij tregoi edhe për përshtypjet e vizitave që edhe më herët i kishte bërë Kosovës.

“Është hera e katërt që jam në Kosovë. Kur për herë të dytë hyra më 2008, hyra me vulë të UNMIK-KFOR-it, por kur dola, dola me vulë të Kosovës së Pavarur. Ajo vizitë kishte rëndësi për mua pasi vizitova edhe Bibliotekën Kombëtare, dhe po ashtu kuptova edhe shumë informacione për shqiptarë dhe pozitat që atë kishin gjatë kohës së Turqisë”, ka thënë Al-Mahmud.

Ndërkaq, duke folur për librin, studiuesi dhe krijuesi Fahredin Shehu ka pohuar se romani “Kusari” është një mundësi e mirë për lexuesin kosovar për ta parë dhe ta njohë më mirë një pjesë të gjeografisë së globit, e cila, sipas tij, pothuajse asnjëherë nuk ishte pa ndikime të jashtme dhe trazira.

“Interesim për mua zgjuan kapitujt që flasin për Ali Pashën e Egjiptit si dhe delegimin birit të tij, Ibrahim Pashën për të luftuar vehabistët të cilët po përhapeshin me shpejtësi në siujdhesën arabike. Ibrahim Pasha kish kalorës shqiptarë- arnautë, të cilit kishin sloganin se nuk guxojnë të kthehen si humbës”, ka thënë ndër të tjerash studiuesi Shehu.

Në promovim folën edhe përkthyesi i romanit “Kusari”, Ejupi Ramadani,  botuesi i librit, drejtori dhe themeluesi i SHB “Buzuku”, Abdullah Zeneli, dhe Muhamed Mufaku, drejtor  i Instituti për Studime Orientale.