Promovohet libri që u dedikohet marrëdhënieve shqiptaro -hungareze

Organizuar nga Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës,  Akademia e Shkencave e Hungarisë dhe Ambasada e Hungarisë në Prishtinë, është promovuar sot libri “Ishin kohë të vështira për Skënderbeun, por ai kishte një aleat, hungarezin Huniad”.

Libri i ‘These were hard times for Skanderbeg, but he had as ally, the Hungarian Hunyadi’ është një përmbledhje shkrimesh të autorëve të ndryshëm që kanë të bëjnë me kontaktet në mes të shqiptarëve dhe hungarezëve, lidhjet historike dhe akademike.

Libri ndahet në dy kapituj duke përfshirë një periudhë më se 5 shekullore të kontakteve dhe bashkëpunimeve të dy popujve, që nga koha e Skënderbeut e deri në ditët e sotme.

Në kuadër të këtij botimi është edhe një shkrim i ambasadorit hungarez në Prishtinë, Laszlo Markusz, i cili  jep një pasqyrë rreth qëndrimeve hungareze sa i përket pavarësisë së Kosovës, por edhe marrëdhënieve në mes dy vendeve.

Jusuf Bajraktari, nënkryetari i AShAK, ka thënë në fjalën e tij se ky botim ngërthen në vete trajtesa të vlefshme të ngjarjeve dhe të aspekteve që përbëjnë lidhjet e epokave dhe të figurave të shquara nga e kaluara e të dy popujve tanë.

“Në këtë vepër prej 340 faqesh, me argumente jepen tablo të veçanta të ndihmës të studiuesve hungarezë, sidomos në studimin e dy figurave dominante të mesjetës në Europë: Skënderbeut shqiptar dhe të hungarezit Gjon Huniadi”, ka thënë ndër të tjera akademik Bajraktari.

Ndërsa, ambasadori Laszlo Markusz, ka folur për raportet e Hungarisë me Kosovën, çështje që kanë të bëjnë me problematikën e njohjes së pavarësisë së Kosovës dhe rolin dhe marrëdhëniet që karakterizojnë dy vendet.

Ambasadori Markusz ka veçuar edhe rëndësinë e dialogut në mes Kosovës dhe Serbisë dhe, siç ka thënë ai gjatë fjalës së tij, suksesi ose dështimi i dialogut në mes Kosovës dhe Serbisë nuk është thjesht çështje bilaterale, por do të ketë ndikime të mënyrave të ndryshme edhe tek të tjerët në rajon e më gjerë.

“Një marrëveshje përfundimtare e detyrueshme ligjërisht dhe e mbështetur nga Republika e Kosovës dhe Republika e Serbisë do të dëshmonte shumë se njohja, vendimi për njohje ishte vendimi i duhur”, ka thënë ambasadori hungarez në Prishtinë, Laszlo Markusz.

Ambasadori Markusz u fokusua edhe në sfidat që Kosova, sipas tij i ballafaqoi me sukses, pas pavarësisë siç ishte shkuarja e shqiptarëve në luftë në Irak dhe Siri dhe ikja e qytetarëve më 2014.

Për librin kanë folur edhe historiani Ylber Hysaj, redaktori i librit Kristian Csapla- Degovics dhe akademik Rexhep Ismajli. Promovimi i këtij libri është bërë në kuadër të Javës së kulturës hungareze në Kosovë.