Promovohet libri për historikun e Universitetit të Prishtinës

Universiteti i Prishtinës, “Hasan Prishtina” ka promovuar sot librin monografik “50 vjet Universiteti i Prishtinës”, shqip dhe anglisht.

Kjo monografi është promovuar në kuadër të aktiviteteve për shënimin e 50 vjetorit të themelimit të këtij universiteti.

Monografia jep të dhëna historike e faktografike për zhvillimin e UP-së, në etapa të ndryshme që nga themelimi deri në ditët e sotme.

Rektori i Universitetit të Prishtinës, Marian Demaj ka thënë gjatë fjalës së tij, me rastin e promovimit të kësaj monografie se Universiteti i Prishtinës, “Hasan Prishtina” ka kontribute domethënëse të çdo sfere të jetës në Kosovë.

Sipas tij, UP-ja është vatër e shtetformimit dhe shtetndërtimit të Kosovës.

“Ky universitet ka kultivuar me kujdes të veçantë frymën e respektimit të të drejtave dhe lirive të njeriut. Është udhëheqës i lëvizjes shoqërore drejt një shoqërie demokratike, me mirëqenie dhe zhvillim të qëndrueshëm”, ka thënë rektori Demaj.

Ndërsa, prorektori Faton Berisha, redaktor i librit, është shprehur se monografia prezanton një historik gjithë përfshirës të ekzistimit të UP-së.

Sipas tij, historia moderne e popullit tonë është e lidhur ngusht me Universitetin e Prishtinës.

“Monografia shpërfaq realitetin historik të UP-së edhe pse unë do të preferoja që të arriturat shkencore të gjenin më tepër vend në këtë monografi”, ka thënë Berisha.

Kurse Sali Bashota, redaktor i librit ka potencuar se Universiteti i Prishtinës ka qenë dhe është identiteti i dijes, arsimit dhe kulturës sonë nacionale.

“Në këtë monografi UP-ja prezantohet si shenja më emblematike e dijes kombëtare të shqiptarëve të Kosovës”, ka thënë Bashota.