Pamje nga promovimi i librit ‘Ekskursioni mësimor dhe edukimi identitar’. Foto: KALLXO.com.
Promovohet libri “Ekskursioni mësimor dhe edukimi identitar” i autorit Nuhi Gashi
Libri “Ekskursioni mësimor dhe edukimi identitar- Shembulli i mësuesit Kemajl Çallaku në Gjermani” i autorit Nuhi Gashi është promovuar të enjten, më 25.07.2024, në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani” në Prishtinë.
Promovimi është hapur me këngët “Mora fjalë” interpretuar nga nxënësja e shkollës shqipe në Gjermani, Ejona Azemi.
Libri “Ekskursioni mësimor dhe edukimi identitar” pasqyron kontributin e mësuesve shqiptarë në diasporë për mësimin plotësues të gjuhës shqipe, e që prezantohet përmes kontributit të mësuesit Kemajl Çallaku.
Libri vë në pah rëndësinë e ekskursioneve mësimore të nxënësve të diasporës për mësimin e gjuhës shqipe, të kulturës dhe historisë kombëtare. E veçmas metodat e mësuesit Kemajl Çallaku, i cili përmes këtyre ekskursioneve ka zgjuar kureshtjen dhe dashurinë e nxënësve për mësimin e shqipes.
Folës të ndryshëm gjatë këtij promovimi çmuan kontributin e Gashit për të mbështetur mësimin plotësues të gjuhës shqipe në diasporë, si ish-koordinator për mësimin plotësues të gjuhës shqipe në diasporë në Ministrinë e Arsimit, si dhe dokumentimin e kontributit të mësuesve të diasporës.
Libri, referencë për studiuesit
Sibel Halimi, drejtoreshë e Kulturës në Komunën e Prishtinës, tha gjatë fjalës së saj se libri “Ekskursioni mësimor dhe mësimi identitar” është referencë e rëndësishme për studiuesit që do të merren me arsimin shqip.
Xhavit Rexhaj, recensent i librit, është shprehur se libri tregon se ekskursionet mund të shndërrohen në orë atraktive mësimore. Sipas tij, libri veçohet edhe për terminologjinë adekuate pedagogjike e didaktike.
Ndërkaq, Hajrije Devetaku- Gojani, recensente, tha se Nuhi Gashi si ish-koordinator për mësimin plotësues, ishte iniciator i shumë projekteve për mësimin shqip në diasporë.
Sipas saj, ky libër, përmes shembullit të mësuesit Kemajl Çallakut, tregon për kontributin që japin mësuesit për mësimin e gjuhës shqipe në diasporë.
“Mësuesi Çallaku zgjodhi ekskursionet mësimore për ta tërhequr vëmendje e nxënësve dhe për ta zgjuar kureshtjen dhe dashurinë për mësimin e shqipes”- tha ajo.
Edhe recensenti Arjan Melonashi ka vlerësuar kontributin e Nuhi Gashit për të shtyrë konsolidimin dhe çimentimin e mësimit shqip në diasporë.
Mësuesi kontribuues
Mësuesi Kemajl Çallaku, protagonist i librit, tha gjatë fjalës së tij se libri “Ekskursioni mësimor dhe edukimi identitar- Shembulli i mësuesit Kemajl Çallaku në Gjermani”, është i argumentuar dhe me bazë shkencore.
“Autori Nuhi Gashi ishte brenda projekteve dhe gjitha zhvillimet i përjetoi në detaje, dhe thënë thjesht, ato projekte ishin më shumë se ekskursione. Ai kishte një shprehje të veçantë për ekskursionet dhe thoshte se janë orë të zgjatura të mësimeve”- tha Çallaku.
Një fjalë rasti mbajti edhe Thomas Seeck, pedagog i muzikës në shkollën ku jep mësim Çallaku në Gjermani.
Si pjesë e ekskursioneve mësimore të organizuar me nxënës të diasporës në Kosovë e vise tjera shqiptare, Seeck tha se ka mësuar të jetuarit mes dy kulturave.
Ndërkaq, autori i librit Nuhi Gashi u shpreh se kur u pensionua nga pozita e koordinatorit për mësimin plotësues të shqipes në diasporë në MASHT, kishte 90 gigabajt materiale për shkollën shqipe në diasporë e që ka rëndësi për memorien kolektive të shqiptarëve.
“Për fat keq me institucionet qendrore të atdheut sikurse është vënë një lloj barrikade, një lloj moskomunikimi e që është e dhimbshme për komunikimet kulturore të një kombi, prandaj edhe s’po i shoh këtu asnjërin, sado që i kanë marrë ftesat, unë si qytetar u kam bërë një ftesë shumë të mirësjellshme, eja se mund të jetë me interes për shkollën, konceptin, me pa si funksionon shkolla”- tha ai.
Gashi tha se ky libër është pjesë e serisë së librave të projekti të tij “Shkollë dhe etnicitet”.
Për kontributin e Gashit dhe Çallakut ka folur edhe mësuesi i gjuhës shqipe në diasporë Rifat Hamiti dhe Driton Gashi, pedagog e krijues në shqip e gjermanisht.
Promovimi është përcjellë edhe me pika muzikore nga çifti gjerman, Thomas Seeck dhe Susanne Thiekotter, mësues në shkollë ku punon Kemajl Çallaku dhe Driton Gashi, i cili u përcoll edhe nga publiku i pranishëm gjatë interpretimit të këngëve të tij.
Pamje nga promovimi i librit ‘Ekskursioni mësimor dhe edukimi identitar’. Foto: KALLXO.com.