
Foto: Screenshot/Bienalja e Venedikut.
Projekti “Ansamble në shpërfaqje: Ekologjitë në ndryshim" përfaqëson Kosovën në Bienalen e Arkitekturës në Venedik
Projekti “Ansamble në shpërfaqje: Ekologjitë në ndryshim” nga Erzë Dinarama do të përfaqësojë Kosovën në Ekspozitën e 19 Ndërkombëtare të Arkitekturës në Bienalen e Venedikut.
Ekspozita e 19 Ndërkombëtare e Arkitekturës do të mbahet nga 10 maji deri më 23 nëntor 2025 në Venedik të Italisë.
Për përfaqësimin e Kosovës në Bienalen e Arkitekturës në Venedik me projektin e Dinaramës ka vendosur një juri në përbërje të: Rozafa Basha, Marina Otero Verzier, Poliksen Qorri-Dragaj, Adela Demetja e Rudina Xhaferi.
Sipas Vendimit të kësaj jurie, përzgjedhja e projektit “Ansamble në shpërfaqje: Ekologjitë në ndryshim” për të përfaqësuar Kosovën në ekspozitën e 19 të Bienales së Arkitekturës në Venedik bazohet në qasjen inovative të projektit, thellësinë intelektuale, përputhshmërinë me temën e Bienales.
Sipas vlerësimit të jurisë, projekti ka qasje eksperimentale, dinamike e diskursive dhe ofron një platformë për formësimin e ideve gjatë muajve të Bienales, si dhe ofron përfitime afatgjata për ekspertet e fushës.
“Propozimi trajton njërën nga sfidat me urgjente globale: ndryshimet klimatike dhe ndikimin e tyre në ekosisteme – përmes lentës së migrimit të specieve. Ai e pozicionon këtë fenomen si çështje hapësinore dhe ekologjike me pasoja të thella kulturore, gjeopolitike dhe mjedisore.” – thuhet në Vendim.
Po sipas jurisë, projekti i Dinaramës integron në mënyrë efektive kontekstin specifik të Kosovës – duke theksuar sfidat me të cilat përballen rajonet më të dhëna ekologjike të kufizuara dhe rëndësinë e njohurive lokale në formësimin e strategjive përshtatëse.
“Propozimi bazohet në hulumtime shkencore gjithëpërfshirëse të jashtëzakonshme, përfshin kushte hapësinore specifike lokale në Kosovë dhe hap një diskurs ndërdisiplinor mbi pyetjen se si peisazhet dhe qytetet kosovare mund të reagojnë ndaj krizave të parashikueshme, siç është ndryshimi klimatik – duke u përshtatur dhe përmirësuar strategjitë ekzistuese.” – thuhet në Vendim.
Bienalja e Arkitekturës në Venedik (Itali) mbahet çdo dy vjet.
Në 2023, Kosova në këtë Bienale u përfaqësua me projektin “RKS2 Transcedent Locality” (RKS2 Lokaliteti Transcendent) të Poliksen Qorri-Dragaj dhe Hamdi Qorrit.