Ministria e Kulturës, Prishtine. 21 Maj 2015. Photo: Atdhe Mulla.

Probleme me financa, Baleti Kombëtar anulon premierën e dhjetorit

Baleti Kombëtar i Kosovës ka anuluar përgatitje për premierën e planifikuar në dhjetor të këtij viti. Arsyeja e anulimit të premierës së fund viti nga BKK, janë problemet me furnizimet për realizmin e shfaqjeve dhe shlyerjen e obligimeve.

Pa qasje në fondin e BKK, vonesat në furnizimin me materialet e nevojshme, vonesat e shkaktuara për shlyerje e obligimeve kanë shtyrë menaxhmentin e këtij institucioni, të anulojë realizmin e premierës së tretë për këtë vit.

Me të njëjtin problem janë duke u ballafaquar edhe institucionet tjera kombëtare të kulturës në vartësi të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Edhe pse në ligjin për buxhetin 2021, institucionet kombëtare kulturore figurojnë si nën-programe, ato nuk kanë qasje në buxhetin e tyre. Kodet buxhetore të tyre nuk funksionojnë, ndërsa nuk kanë xhirollogari në bankat komerciale nga 2018.

Të gjitha pagesat ndaj bashkëpunëtorëve dhe furnizuesve, kalojë nëpër zyrat e MKRS-së. Mënyrë kjo e cila po kolapsin funksionimin normal të institucioneve.

Ndikimi në program

Kreshnik Musolli, ushtrues i detyrës së drejtorit të Baletit Kombëtar të Kosovës, ka thënë për KALLXO.com se çështja e mënyrës se furnizimit me materialet e nevojshme për kostume, për skenografi e gjera bazike qe nevojiten për një shfaqje të baletit, është duke na shkaktuar probleme tash e sa kohë.

Ai ka thënë se e ka paralajmëruar MKRS-së lidhur me problemet edhe gjatë realizmit ët dy premierave të më hershme.

“Kjo tregon jo seriozitet nga ana jonë ndaj koreografeve e bashkëpunëtorëve të jashtëm, pasi si institucion kombëtar i kulturës, nuk do duhet t’i kishim këto telashe, sepse me të vërtetë që janë shumë bazike dhe as që do duhej të ishin temë diskutimi. Ne bëjmë art, e në art nuk ka limit. Për këtë arsye duhet të na trajtojnë më ndryshe e t’i kuptojnë specifikat tona. Për këtë arsye, e kam anuluar realizimin e premierës së fundit për këtë vit që ka qenë në plan të shfaqet me 16 dhjetor”, ka thënë ai.

Musolli ka thënë se e vetmja mënyrë për të dalë nga problemet, është pavarësimi financiar i institucioneve.

Me probleme të ngjashme është duke u ballafaquar edhe Filharmonia e Kosovës. Baki Jashari, drejtor i këtij institucioni, ka thënë për KALLXO.com se është duke menduar në anulimin e programit të fundvitit.

Ai ka thënë se me muaj të tërë vonohen pagesat për projektet e përfunduara.

“Jemi duke shkuar drejt fundit të vitit dhe kjo mënyrë do të shkaktojë suficit të buxhetit në pamundësi të shpenzimit të buxheti të Filharmonisë, me që vonesat janë aq të mëdha sa që jemi duke menduar nesër do të hyjmë në obligime për vitin tjetër, për shkak të vonesave që po ndodhin në sistemin në pagesave brenda MKRS-së”, ka thënë ai.

Ndërkaq, Enver Rexha, drejtor i Instituti Albanologjik të Kosovës ka thënë për KALLXO.com se mos qasja në buxhet i ka krijuar probleme në furnizim për realizmin e projekteve.

“Kemi pasur probleme me furnizim me vetura. Tek para tri javëve na është dhënë një automjet për shërbim deri në dhjetor. Këto probleme na kanë përcjellë tërë vitit”, ka thënë ai

Premtimet e përsëritura

Përveç premtimeve MKRS ende nuk ka dhënë ndonjë sinjal se do t’u mundësojë pavarësinë financiare. Për vit është premtuar funksionalizimi i kodeve dhe mundësia që institucionet vetë të kryejnë procedurat qoftë për furnizim ashtu edhe për pagesat për nevoja të institucioneve.

MKRS nuk ka kthyer përgjigje lidhur me dështimin e saj për ta krijuar një pavarësim institucional për institucionet deri në publikimin e shkrimit.

Muaj më parë në një përgjigje për KALLXO.com MKRS sinjalizoi mundësi e rihapjes së xhirollogarive bankare për institucionet kulturore kombëtare.

Në verën e 2018-ës, MKRS urdhëroi institucionet kulturore vartëse, të mbyllin llogaritë bankare në banka. Bllokimi i xhirollogarive ishte bërë me urdhër të MKRS pasi Zyra Kombëtare e Auditimit, kishte konstatuar se xhirollogaritë e institucioneve nuk ishin bërë me leje të thesarit (Ministrisë së Financave). Që ai vit, të gjitha transaksionet financiare, pagesat e institucioneve, kryhen përmes MKRS-së.