Foto: Facebook/ Mytaher Haskuka

Prizreni bëhet me Muze të Artit Bashkëkohor

Prizreni do të behët me Muzeun e Arteve Bashkëkohore. Ky muze është planifikuar të hapet në Parkun e Trajnimeve dhe Invacionit (ITP) në këtë qytet.

Themelimi i tij është bërë i mundur nga ‘Autostrada Biennale’, mbështetur nga Komuna e Prizrenit dhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë.

Mytaher Haskuka, kryetar i Komunës së Prizrenit ka bërë të ditur përmes llogarisë së tij në Facebook, se ‘Autostrada Biennale’ është organizata e parë që ka nënshkruar kontratë me ITP për shfrytëzim të hapësirave të këtij parku, ku kanë aplikuar më shumë se 60 organizata e institucione të ndryshme, ku, siç ka shkruar ai, së shpejti do të ketë nënshkrim edhe të 11 kontratave të tjera.

Haskuka ka bërë të ditur se në Parkun e Inovacionit dhe të Trajnimeve, ‘Autostrada Biennale’ do të krijojë hapësirën për edukim.

“Në një dimension unik të kohës, kjo hapësirë do t’i vë hapat e para drejt krijimit të Muzeut të parë të Artit Bashkëkohor në Prizren, projekt i cili mbështetet nga Ambasada Amerikane në Prishtinë dhe bashkëfinancohet nga Komuna e Prizrenit. Në kuadër të këtij projekti, në një sipërfaqe rreth 550 m², do të krijohet hapësirë për edukim jo-formal dhe programe të krijimit të shkathtësive për fuqizimin e të rinjve të komunës së Prizrenit. Veprat e para të prodhuara në këtë hapësirë do të ekspozohen në hapjen e ekspozitës ndërkombëtare të artit bashkëkohor me datën 17 korrik 2021, gjatë edicionit të tretë të Autostrada Biennale”, ka shkruar Haskuka në Facebook.

Kjo hapësirë, po sipas kryetarit Haskuka, do të shndërrohet në pikë takimi për qytetarët, duke krijuar një impakt socio-ekonomik në zhvillimin e qytetit të Prizrenit dhe vendit në përgjithësi.

 

Foto: Facebook/ Mytaher Haskuka
Foto: Facebook/ Mytaher Haskuka

 

Autostrada Biennale prezanton hapësirën për edukim dhe prodhim