Prizren - Takim koordinues për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore

Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren ka mbajtur gjatë ditës së sotme, një takim koordinues me institucionet dhe akterët nga niveli lokal dhe ai qendror të cilët kanë përgjegjësi ligjore, për ruajtjen dhe mbrojtjen trashëgimisë kulturore në Komunën e Prizrenit.

Ky takim vjen pas rastit të fundit të përfshirjes nga zjarri ditë më parë të njërit prej aseteve të trashëgimisë kulturore në Prizren.

Përmes një njoftimi për media, QRTK në Prizren, njofton se pas zjarrit të paraqitur më 08.02.2020, me ç’rast është djegur Ndërtesa Austriake, e cila gjendej në kuadër të ish-Fabrikës së Barnave “Farmakos”, njëkohësisht edhe në kuadër të Kompleksit të Nënkalasë, Pantelisë dhe Potokmahallës (Ansambël në Listën e Trashëgimisë Kulturore nën Mbrojtje të përkohshme), QRTK në Prizren ka dërguar ekipet profesionale në vend të ngjarjes, dhe ka hartuar një raport së bashku me rekomandimet për hapat e mëtutjeshëm.

“Si rrjedhojë e rekomandimeve të QRTK në Prizren, është mbajtur edhe takimi i sotme koordinues ku  palët pjesëmarrëse kanë konfirmuan gatishmërinë për bashkëpunim  dhe u dakorduan me rekomandimet e Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren”, thuhet në njoftim.

Po sipas komunikatës së QRKT-së, palët u pajtuan për marrë hapat nevojshme deri në hartim të projektit të rikonstruimit të ndërtesës së djegur, Ndërtesa Austriake, duke u bazuar në të dhënat arkivore.

Palët gjatë këtij takimi janë dakorduar që të vazhdojnë bashkëpunimin për mbrojtjen e aseteve të trashëgimisë kulturore në Komunën e Prizrenit dhe më gjerë.