Prishtina bëhet me skulpturë dedikuar librit

Është përuruar sot në Prishtinë skulptura “Leximi dhe shëndeti mendor” e autorit Butrint Morina.

Skulptura është vendosur në Sheshin Nënë Tereza, para Ministrisë së Kulturës dhe do të qëndrojë një muaj, e më do t’i dhurohet bibliotekës së qytetit “Hivzi Sulejmani”, në oborrin e së cilës do të qëndrojë përherë.

Në skulpturën e punuar nga Butrint Morina, qytetarët do të kenë mundësi të lexojnë rezultatet e dala nga hulumtimi gjashtë mujor i organizatave partenere ETEA, Qendra për Hulumtime Psiko-sociale dhe Mjekësore si dhe Qendra për Afirmimin Social të të Rinjve.

Organizata ETEA përmes një njoftimi përmes një njoftimi për media ka bërë të ditur se skulptura që në vete ngërthen trurin dhe librin përmban edhe disa nga rezultatet kryesore të raportit hulumtues, “Efekti i të lexuarit aktiv në mirëqenien psikologjike dhe inteligjencën emocionale të fëmijëve të Kosovës” që u publikua javën që kaloi.

“Kjo ngjarje shënoi përfundimin e projektit të organizatës ETEA, Qendra për Hulumtime Psiko-Sociale dhe Mjekësore dhe CSAY “Ndikimi i të lexuarit në shëndetin mendor të fëmijëve” që u përkrah nga Forumi për Iniciativa Qytetare dhe Institute for Development Policy (INDEP) me burim financiar nga European Union Kosovo, gjithashtu edhe me përkrahjen e Komuna e Prishtinës”, thuhet në njoftimin  e ETEA-s.