Foto: Komuna E Prishtinës

Prishtina bëhet edhe më një qendër kulturore

Një objekt i braktisur për vite të tëra në lagjen e Kacallarëve në Prishtinë, ish- pronë e atdhetarit Shyqri Begu, do të shndërrohet në një qendër për nevoja kulturore dhe të komunitetit.

Një marrëveshje mirëkuptimi, nënshkruar të martën në mes të Nënkryetari të Komunës së Prishtinës, Muhedin Nushi dhe përfaqësuesit e konsorciumit të organizatave Shtatëmbëdhjetë, Cultural Heritage Without Borders, (CHwB) dhe Qendra Multimedia, ka hapur rrugën për revitalizimin e këtij objekti të braktisur në lagjen e Kacallarëve në kryeqytet.

Përmes një njoftimi, Komuna e Prishtinës bën të ditur se marrëveshja përveç revitalizimit të vetë objektit, parasheh edhe shndërrimin e këtij objekti në hapësirë shumëfunksionale dhe Qendër të Artit për komunitetin, ku edhe do të ofrohen programe vjetore në fushën e artit, kulturës, trashëgimisë kulturore e aktivizmit qytetar.

Objekti gjendet në njërën prej lagjeve më të vjetra të Kryeqytetit dhe është ndërtuar shekullin e kaluar nga atdhetari Shyqri Begu.

“Përgjatë viteve është shfrytëzuar për destinime të ndryshme, ku pas Luftës së Dytë Botërore ka qenë burg i Policisë serbe e më vonë klub i boksit, në vitet e 60’ta i shërbeu Entit të Botimeve kurse më vonë u shfrytëzua si objekt banimi. Tash po i kthehet komunitetit!”, thuhet në njoftimin e komunës së Prishtinës.