'PriFest’ shpalos programin kryesor garues

Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Prishtinë, “PriFest”, ka shpalosur programin kryesor garues të edicionit të sivjetmë të këtij festivali.

Edicioni i 13-të i “PriFest” do të mbahet nga 24 deri më 29 gusht 2021 në Prishtinë.

Kategoria e filmave Ballkanik të metrazhit të gjatë, e quajtur në të kaluarën edhe “Filmat e mjaltës dhe gjakut”, përbëhet nga 7 filma nga 5 shtete.

Njëri nga ta do ta ketë premierën ndërkombëtare, 2 filma do të kenë premierën regjionale dhe të gjithë filmat do të jenë premierë në Kosovë.

Në mes 7 filmave, do të jetë edhe filmi që hap festivalin, fituesi i trefishtë i Sundance IFF, “ Zgjoi’ i regjisores Blerta Basholli.

Pjesë e këtij programi garuese është edhe filmi  “Luaneshat e kodrës”, filmi debutant i Luana Bajramit, që para pak kohe pati premierën në Kanë (Cannes), në seksionin “Director’s Fortnight’.

Në listë është edhe filmi “Pas dimrit” nga Ivan Bakraç i cili ishte pjesëmarrës në “PriFORUM”, platformën e industrisë filmike të “PriFest”, në vitin 2016.

Pjesë e këtij programi janë edhe, filmi turk “Druri i heshtur” nga Faysal Soysal, filmi boshnjak “Hëna e plotë”.

Një tjetër film i Kosovës në listën e filmave garues është “Andromeda Galaxy” nga More Raça.

Përfaqësuesi i Shqipërisë në garë e sivjetme të programit ballkanik të “PriFest” do të jetë filmi “Bolero në shtëpinë e pleqve” i  Spartak Peçanit.

“Jemi shumë të lumtur për programin garues të këtij edicioni. Është një moment unik për festivalin tonë, sepse do të kemi 3 filma kosovarë në programin kryesor garues. Natyrisht, ata janë aty jo sepse janë të Kosovës, por sepse janë kualitativ. Jam poashtu i lumtur që do të kemi shumë regjisorë e regjisore të reja në garë. Nga 7 filmat garues, 5 janë regjisorë debutantë. Dhe mbi gjitha, jemi të lumtur që janë 3 regjisore femra në garë”,  thuhet në njoftim.

Lista e plotë e programit garues të filmave ballkanik:

  1. “Luaneshat e kodrës” nga Luana Bajrami,

Kosovë/Francë, 83m.

  1. “Hëna e plotë” nga Nermin Hamzagiç,

Bosnja dhe Hercegovina, 85 min.

  1. “Druri i heshtur” nga Faysal Soysal,

Turqi/Iran, 118 min.

  1. “Pas dimrit” nga Ivan Bakraç,

Mali i Zi, 101 min.

  1. “Bolero në shtëpinë e pleqve” nga Spartak Pecani,

Shqipëri/Kosovë, 108 min.

  1. “Andromeda galaxy” nga More Raça,

Kosovë/Spanjë/Itali/Maqedoni e Veriut, 80 min.

  1. “Zgjoi” nga Blerta Basholli,

Kosovë/Zvicërr/Shqipëri/Maqedoni e Veriut, 84 min.