Prezantimi i projektit ideor për objektin e TOBK-së. Foto: KALLXO.com.

Prezantohet projekti ideor fitues për ndërtimin e objektit të Teatrit të Operës dhe Baletit të Kosovës

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) ka prezantuar të hënën, më 03.02.2025, projektin ideor fitues për ndërtimin e Teatrit të Operës dhe Baletit të Kosovës (TOBK) të konsorciumit “Big Partners Ltd & ALB Architect”.

Projekti është prezantuar nga arkitekti i projektit, danezi Bjarke Ingels.

Sipas projektit, objekti i TOBK-së do të ketë katër salla, me kapacitete nga 300 deri në 1,200 ulëse, e me mbi 400 vend-parkingje.

Ky objekt do të jetë shtëpia e katër institucioneve të rëndësishme kulturore kombëtare: Baletit Kombëtar, Filharmonisë, Operës dhe Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve “Shota”.

Objekti do të mbulohet nga një fasadë e cila në mënyrë simbolike do të paraqesë formën e xhubletës shqiptare.

Ndërtimi i këtij objekti parashihet të përfundojë për 5 vjet nga dita e fillimit të punimeve.

Çeku: Projekti – arritje kulmore e Qeverisë

Ministri i MKRS-së, Hajrulla Çeku, ka thënë gjatë prezantimit se projekti ideor për ndërtimin e TOBK-së është ndër arritjet më kulmore të Qeverisë aktuale të Kosovës.

Çeku ka thënë se projekti i prezantuar nga arkitekti Ingels është një kryevepër botërore. “Teatri (TOBK) do të përmbajë 4 auditoriume me kapacitet nga 300 deri në 1,200 ulëse, po ashtu do të ofrojë parkingun nëntokësor me kapacitet prej mbi 400 vendparkingje”- tha ministri Çeku.

Sipas tij, ky projekt vjen në një moment shumë të veçantë për institucionet e kulturës, pikërisht, siç ka thënë ai, kur po ndërmirren hapa transformues në rrethana të reja e të favorshme ligjore për institucionet kulturore.

Frymëzimi nga xhubleta

Gjatë prezantimit të projektit fitues, arkitekti Bjarke Ingels tha se projekti është ideuar në atë mënyrë që të jetë funksional për 4 institucionet që do të vendosen në objekt. Ndërsa tha se objekti do të jenë i rrethuar nga një fasadë në formë xhublete, pasi sipas tij, në shumë mënyra xhubleta ka inspiruar realizmin e projekti ideor për TOBK-në.

Ai tha se objekti i TOBK-së do të jetë në një lokacion si një portë hyrëse në Prishtinë.

“Kjo do të jetë shtëpi e Baletit Kombëtar, Filharmonisë, Operës dhe Ansamblit ‘Shota’ dhe sfida ka qenë që të krijojmë një shenjë dalluese për artet përformuese në Prishtinë dhe të ridefinojmë identitetin kulturor të Kosovës dhe ta ngrisim praninë e saj në skenën ndërkombëtare”- tha Bjarke Ingels.

Sipas tij, projekti është projektuar në atë mënyrë që të jetë funksional, me salla koncertale, administrative dhe anekse ndihmëse për t’u mundësuar artistëve performanca të nivelit të lartë.

“Fasada do të jetë si e hapur me këtë pamje, duke paraqitur shëmbëlltyrën e xhubletës, e cila edhe ashtu ka një pamje arkitektonike”- tha Ingels, duke shtuar se objekti i TOBK-së është projektuar të jetë në harmoni edhe me objekte përreth tij.

Ndërsa i pyetur rreth kohës së ndërtimit, arkitektit Ingels tha se një objekt i tillë mund të ndërtohet për gjysmë dekade nga dita e fillimit të punimeve.

Gjatë gjithë prezantimit të projekti Ingels është përcjellë nga një vajzë e vogël e veshur me xhubletë.

Zgjedhja e fituesit

Tenderi ndërkombëtar “Zhvillimi i projektit ideor dhe të hollësishëm, të arkitekturës dhe të inxhinierisë, për ndërtimin e Teatrit të Operës dhe Baletit të Kosovës, në Prishtinë, në Republikën e Kosovës – Ritenderim”, ishte hapur në shkurt viti 2024, ndërsa njoftimi për dhënien e kontratës për kompaninë ishte publikuar më 31.10.2024.

Por, procedurat kishin ngecur pas ankesës së bërë nga operatori konkurrues “Gerber Architekten International GmbH & Hark Architect”.

Por, më 20.01.2025, Organi Shqyrtues i Prokurimit Publik, përmes një vendimi i dha të drejtë MKRS-së duke i hapur rrugë vendimit për përzgjedhjen e projekti ideor fitues për ndërtimin e TOBK-së.

prill të vitit 2022 Kuvendi Komunal i Prishtinës votoi për  ndarjen e një pjese të hapësirës prapa Pallatit të Rinisë dhe Sporteve si lokacion për Teatrin e Operës dhe Baletit. Për realizmin e projekti ideor për ndërtimin e objekti të TOBK-së, MKRS ka paraparë 2 milionë e 500 mijë euro, ndërsa sipas rezultateve të publikuara nga MKRS-ja, konsorciumi fitues projektin do ta realizojë për 2 milionë e 450 mijë euro.

Vendimi për ndërtimin e objektit të Teatrit Operës dhe Baletit ishte marrë në vitin 2006, kur edhe ishte caktuar lokacioni për ndërtimin e objektit te Fakulteti Teknik në Prishtinë.

Më 2009 ishte vënë guri i themelit, por, pas pak kohe gjithçka stagnoi dhe mbeti një gropë e madhe te lokacioni i caktuar për ndërtim, e cila u mbyll më pas nga Komuna e Prishtinës.

Në nëntor 2019, gjatë prezantimit të projekt- propozimit të planit rregullues për zonën te Fakulteti Teknik, ish-kreu i Komunës, Shpend Ahmeti, pati deklaruar se ishte shfuqizuar vendimi që te Tekniku të ndërtohet ndërtesa e operës.

Pavarësisht disa përpjekjeve, MKRS u detyrua të pranojë vendimin e Komunës dhe gjithçka nisi nga fillimi për ndërtimin e objektit. Për ndërtimin e Teatrit Operës dhe Baletit afër Fakultetit Teknik u harxhuan mbi 800 mijë euro.

Duke u bazuar edhe në Ligjin për Filarmoninë, Operën dhe Baletin, Kuvendi i Kosovës votoi më 2021 për themelimin e Operës së Kosovës.

Prezantimi i projektit ideor për objektin e TOBK-së. Foto: KALLXO.com.
Prezantimi i projektit ideor për objektin e TOBK-së. Foto: KALLXO.com.
Prezantimi i projektit ideor për objektin e TOBK-së. Foto: KALLXO.com.
Prezantimi i projektit ideor për objektin e TOBK-së. Foto: KALLXO.com.
Prezantimi i projektit ideor për objektin e TOBK-së. Foto: KALLXO.com.
Prezantimi i projektit ideor për objektin e TOBK-së. Foto: KALLXO.com.
Prezantimi i projektit ideor për objektin e TOBK-së. Foto: KALLXO.com.