Foto: Facebook/ ‘Manifesta 14’.

Prezantohet koncepti artistik i Bienales së Artit Evropian, ‘Manifesta 14’

Ekipi i Bienales së Artit Evropian, “Manifesta” ka prezantuar sot në Kino “Armata” në Prishtinë, kuratoren dhe konceptin kuratorial të edicionit të ardhshëm të kësaj bienale, “Manifesta 14”, që vitin e ardhshëm mbahet në Prishtinë.

Pjesë e këtij prezantimi ishin edhe ministri i Kulturës Hajrulla Çeku, kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti dhe përfaqësues të institucioneve kosovare.

Përveç prezantimit të kuratores dhe konceptit artistik të edicionit të ardhshëm të bienales, është bërë edhe prezantimi i vizionit urban të bienales, “Manifesta 14”.

Themeluesja dhe drejtoresha “Manifesta”-s, Hedwig Fijen ka thënë gjatë këtij prezantimi se Prishtina do të përfitojë nga ky aktivitet, sidomos sa i përket mundësisë për transformim në aspektin urban.

“Shpresoj në mundësi që ky vizion urban të jetë si udhërrëfyes se si qyteti i Prishtinës të shndërrohet në një qytet të sigurt, të gjelbër, të pastër dhe të qëndrueshëm”, ka thënë drejtoresha Fijen.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku ka thënë gjatë këtij prezantimi se “Manifesta” po vjen në një periudhe të zhvillimit, kur komuniteti artistik dhe i gjithë ekosistemi i kulturës është gati për ndryshime me ndikim afatgjatë.

“Pikërisht këtu vjen në shprehje bashkëpunimi ynë, i cili duhet të jetë i orientuar deri në shterjen e çdo kapaciteti që ofron kjo platformë e ‘Manifestës’ që padyshim do t’i shërbej thellësisht kulturës në vendin tonë. ‘Manifesta’ ofron kushte për të testuar modele të reja të planifikimit hapësinor në kulturë”, ka thënë Çeku, gjatë fjalës së tij.

Kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti ka shprehur kënaqësinë që “Manifesta” do të mbahet në Prishtinë.

Ai ka thënë se rrëfimi i “Manifesta”-s për Prishtinës do të jetë shumë unik.

“Në qytetin tonë do të mund të gjeni shumëçka, monumente që nga arkitektura osmane deri te ajo jugosllave-komuniste e pastaj të përfundojmë me atë që ne e quajmë arkitektura neoliberale, ku mund të bëni çfarë dhe ku të doni”, ka thënë ai.

Ndërkaq, Catherine Nicholes, ndërmjetësuesja kreative (kuratorja) e “Manifesta 14” e Prishtinës ka thënë se vizita në Prishtinë dhe biseda e ndryshme i kanë dhënë asaj, një ndjenjë të dukshme të fuqisë̈ transformuese e cila qëndron në praktiken e rrëfimit.

“Jam e gëzuar që t’i bashkohem ekipit të ‘Manifesta 14’, për të sjellë së bashku artistë, mendimtarë, shkencëtarë dhe qytetarë nga e gjithë Evropa dhe më gjerë për të eksploruar se si rrëfimi mund të na mundësojë të angazhohemi me njëri – tjetrin dhe, në pluralitetin tonë të qenësishëm, të veprojmë̈ në bashkësi, për të sjellë një botë të përbashkët më shumë se njerëzore”, ka thënë ajo.

“Manifesta 14” do të mbahet në Prishtinë, nga data 22 korrik deri më 30 tetor 2022.

“Manifesta 14” në Prishtina do të përbëhet nga një program 100 ditor i ngjarjeve në fushat e artit, zhvillimit urban, kulturës bashkëkohore, edukimit, teorisë, hulumtimit dhe ndërmjetësimit.

Bienalja Evropiane Nomadike e Artit, “Manifesta” është themeluar në fillim të viteve 1990. “Manifesta” rimendon lidhjen midis kulturës dhe shoqërisë civile, duke hulumtuar dhe nxitur ndryshime pozitive shoqërore përmes kulturës bashkëkohore në dialog të ngushtë me sferën shoqërore të qytetit mikpritës dhe komuniteteve të tij.

Që nga 1996, kjo bienale organizohet çdo dy vjen në ndo një prej qyteteve të vendeve të ndryshme. Deri më tani janë mbajtur 13 edicione të kësaj bienale.

Foto: Facebook/ ‘Manifesta 14’.
Foto: Facebook/ ‘Manifesta 14’.

 

 

 

Foto: Facebook/ ‘Manifesta 14’.