Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Presidentët vlerësojnë kontributin e ish-presidentit Ibrahim Rugova

Në kuadër të Ditës së Presidentit, Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani Sadriu se bashku me ish-presidentët Fatmir Sejdiu, Behgjet Pacolli e Atifete Jahjaga, kanë vizituar Muzeun Shtëpia e Pavarësisë, “Dr. Ibrahim Rugova” në Prishtinë.

Gjatë kësaj vizite, katërshja presidenciale e Kosovës janë njoftuar me kontributin e dhënë nga ish-presidenti Ibrahim Rugova dhe bashkëpunëtorëve gjatë viteve të  ’90-ta të shekullit të kaluar pasqyruar përmes ekspozitës, “Rezistenca e padhunshme e Kosovës 1989-1999”.

Presidentja Osmani- Sadriu ka thënë me këtë rast se ky muze barët mbi supe shumë prej ngjarjeve më të rëndësishme që trasuan rrugën për pavarësinë së Kosovës.

“Në këtë shtëpi të vogël ndodhë shumë ngjarje por që kishin impakt të madhe. Ky muze u kushtohet përpjekjeve të mëdha që kulmuan më shpalljen e pavarësisë së Kosovës, përpjekje këto, që kulmuan edhe falë presidentit Ibrahim Rugova. Pamë dëmin e madh që forcat serbe ia bën kësaj shtëpie në vitin 1999, ku  kishte mbetur vetëm një fotografi e presidentit, por falë miqve të tij janë ruajtur shumë materiale për të dëshmuar punën e bërë në këtë shtëpi”, ka thënë presidentja Osmani -Sadriu.

Ish presidenti Fatmir Sejdiu ka thënë se ekspozita që pasqyrojnë kontributin që është dhënë në viti e ’90-ta të shekullit të kaluar e që kanë ndodhur në këtë shtëpi duhet të paraqesin me korrektësi gjithë ngjarjet dhe kontributin e shumë personaliteteve të cilat dhe u vranë nga regjimi serb.

Ai ka thënë se gjithë puna, artefaktet, videot, inçizimet e materiale tjera që janë krijuar në këtë shtëpi, duhet të kthehen në këtë muze.

“Nga këtu jepeshin lajmet për atë çfarë ndodhte në gjithë Kosovën. Kanë qenë 2000 informatorë ditor që kanë siguruar lajme të cilat pastaj për pak minuta shpërndaheshin në qendra më të njohura botërore. Shumë veprimtarë u vranë dhe u rrahën. Duhet të ketë ekspozita në vazhdimësi për të pasqyruar gjithë ato ngjarje”, ka thënë Sejdiu.

Ndërkaq, ish presidenti Behgjet Pacolli ka thënë se Pavarësia ka qenë ngushtë e lidhur me LDK-në dhe duhet të pasqyrohet gjithë puna që është bërë gjatë atyre viteve. Ai ka thënë se Kosova duhet të ketë një muze të gjenocidit.

“Në fundvitet e ’90 në Ruanda është hapur një muze, ‘Gjenocidi i shekullit XX’.  Unë kam pasur mundësinë nga këtu të bartë materiale dhe që të montoj një video. Aty tani janë tri kënde, gjenocidi në Ruanda, në Bosnje dhe Kosovë. Është një video që gjithmonë lëviz. Kisha dashur që edhe këtu në Kosovë të kemi një të tillë për atë çka ndodhur në Kosovë, sepse ka ndodhur një gjenocid i vërtetë”, ka thënë ish-presidenti Pacolli.

Muzeu Shtëpia e Pavarësisë “Dr. Ibrahim Rugova” është themeluar në ish objektin e Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, i cili gjatë viteve 1990-1999 shërbeu si selia e presidentit të Kosovës.

Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com