Salla e Teatrit Kombëtar. Foto: Kallxo.com

Premtimet e artistëve që synojnë ulësen e deputetit në zgjedhjet e 14 shkurtit

Që nga pas lufta, Kuvendit të Kosovës nuk i kanë munguar personalitetet kulturore.

Edhe në zgjedhjet e 14 shkurtit pritet të garojnë për të qenë pjesë e parlamentit të ardhshëm disa artist.

Edhe pse të paktë në numër, kandidatët për deputetë nga radhët e komunitetit kulturorë premtojnë se zëri i tyre në parlamentin e ardhshëm të Kosovës, do të jetë për kulturën.

Aktorja Adriana Matoshi, kandidate për deputete nga radhët e LVV-së, ka thënë në një prononcim për Kallxo.com se situata e përgjithshme që po kalon vendi dhe sidomos e artistëve e kanë ‘bindur’ që t’ i hyjë garës për deputete.

Adriana Matoshi në filmin “Zana”

Matoshi: Duhet agjenci për zhvillimin e artit

Aktorja Matoshi, fituese e shumë çmimeve ndërkombëtare, ka thënë se në Kosovë vërehet mungesa e theksuar e përkushtimit të nevojshëm të partive politike për fushën e artit dhe kulturës.

“Aktivitetet e mia të deritanishme në jetën shoqërore dhe artistike, do më ndihmojnë shumë që të jem zëri i qytetarëve të Kosovës. Preokupimi im kryesor dhe temat të cilat unë si deputete e ardhshme do t’i shtyjë përpara padyshim se janë: mirëqenia dhe krijimi i një perspektive të re për të rinjtë tanë, lufta për barazi gjinore, e cila ende mbetet sfidë në vendin tonë edhe në këto kohë si dhe promovimi e zhvillimit kulturorë”, ka thënë ajo.

Matoshi ka thënë se vendit i duhet themelimi i Agjencisë Kombëtarë për Zhvillimin e Artit.

“Ashtu siç edhe ceket në alternativën qeverisëse të Lëvizjes Vetëvendosje, duhet krijuar Agjencinë Kombëtare për Zhvillimin e Artit, e cili do të përkrahë artistët duke shpërndarë fonde nga Buxheti i Kosovës (dhe donatorë të tjerë) për ta sjellë artin skenik, pamor e muzikor më afër shoqërisë”, është shprehur aktorja Matoshi.

Matoshi ka thënë se Kuvendit të Kosovës së pari i duhet një stabilitet dhe një funksionim normal, pasi siç ka thënë ajo i ka munguar viteve të fundit.

“Kuvendi duhet të fillojë të punojë për mirëqenien e qytetarëve të këtij vendi”, është shprehur Matoshi.

Vendi pa objekte kulturore

Mjeshtëri i fotografisë, Fahredin Spahija, kandidat i LDK-së për deputet ka thënë në një prononcim për Kallxo.com se kandidimi i tij për deputet është bërë me insistimin e degës së LDK-së në Mitrovicë.

Spahija ka thënë se problemet që lidhen me kulturën dhe zhvillimin e saj janë të shumta. Ai ka renditur me radhë problemet, të cila sot janë evidente dhe që ai do të angazhohet që ato të marrin zgjidhje.

Sipas tij, çalimet më të mëdha sa i përket kulturës vërehen në infrastrukturën fizike apo krijimi i hapësirave të reja ku do të zhvilloheshin aktivitetet kulturore dhe artistike.

“Në infrastrukturën ligjore janë shënuar shumë përparime dhe ky avancim ka ndodhur në radhë të pare shkaku i kërkesave dhe detyrimeve që kanë ardhur nga Bashkimi Evropian si nevojë e plotësimit të standardeve për t`u bërë pjesë e familjes së madhe evropiane. Por, ajo që ka çaluar shumë është infrastruktura fizike apo krijimi i hapësirave të reja ku do të zhvilloheshin aktivitetet kulturore dhe artistike. Sot, këto aktivitete zhvillohen nëpër objekte të vjetra dhe jofunksionale”, ka thënë fotografi Spahija.

Fahredin Spahija. Foto: Facebook/Fahredin Spahija

Spahija ka thënë se institucionet elitare kulturore, si Teatri Kombëtar, Filharmonia Baleti e Galeria Kombëtar funksionojnë në objekte të vjetra, jo funksionale dhe pa kushte.

“Galeria, ta zëmë, ka hapësira të vogla me lartësi nën çdo kriter që ia pamundëson asaj ekspozimin e pikturave në formate të mëdha si dhe skulptura të larta! Hapësira ku ruhet fondusi i veprave artistike, nuk përmbushë asnjë kriter për pasuri të tilla. Ambientet janë të vogla dhe pa kushte të duhura të ruajtjes së temperaturës së pandryshueshme dhe pa aparatura për ruajtjen e ambientit nga lagështia. Mos të harrojmë se aty ruhet kryeveprat e artistëve shqiptarë por edhe shumë vepra të artistëve me nam botëror siç janë Henri Moore, Andy Worhol, Victor Vasareli etj”, është shprehur ndër të tjerash Spahija.

Mungesa e perspektivës

Ndërsa, aktori Avdi Gërvalla, tonist në Teatrin Kombëtar, kandidat për deputet nga radhët e AAK-së ka thënë për Kallxo.com se e gjendja e komunitetit artistik vazhdon të jetë e rëndë dhe për vite nuk ka përmirësime.

Avdi Gërvalla. Foto: Facebook/Avdi Gervalla

Gërvalla ka thënë se nëse arrin të fitojë besimin e qytetarëve, konkretisht komunitetit kulturor ai do të punojë për ndryshimin e kësaj gjendje, e cila sipas tij ka kapuar kulturën në vend.

“Që në fillim do të ngris shqetësimet që sot preokupojnë komunitetin artistik, sidomos tek aktorët ku pjesa dërguese e tyre nuk kanë perspektivë punë, dhe shumë prej tyre detyrohen të punojnë punë tjera për të siguruar jetesë, pa mundur që të fokusohen në profesion”, ka thënë Gërvalla.

Ai po ashtu ka thënë se do të punojë edhe për ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore të Kosovës, e cila sipas tij është mjaftë pasur, por i ka munguar përkujdesja e duhur nga institucionet.

Artistë të fushave të ndryshme kulturore janë bërë pjesë e listave zgjedhore të partive politike për zgjedhjet e përgjithshme që pritet të mbahen më 14 shkurtit 2021.