Teatri i Gjilanit. Foto Facebook

Pesë drama garojnë për çmimet e Festivalit, ‘Talia e Flakës 2022’

Pesë shfaqje teatrale do të prezantohen në kuadër të Festivalit të Dramës Origjinale Shqipe, “Talia e Flakës 2022”.

Edicioni i sivjetëm i këtij festivali mbahet nga data 23 – 28 janar 2022, në Teatrin e Gjilanit.

Festivalit “Talia e Flakës” mbahet në kuadër të manifestimit kulturor, “Flaka e Janarit 2022”, ndërsa prezantohen dramat e autorëve shqiptarë.

Festivali hapet me premierën e shfaqjes “Viganet” nga Visar Krusha, regjisor Ilir Bokshi, prodhim i Teatrit të Gjilanit, për të vazhduar më pas me Teatrin Kombëtar të Kosovës që prezantohet me shfaqjen “Aroma e hënës” nga Mehmet Kraja, me regji nga Rozi Kostani, Teatrin “Metropol” nga Tirana me shfaqjen “Gof” të Anton Pashkut, regjisor Shkelzen Berisha, Teatrin “Adriana” (Adriana Abdullahu) të Ferizajt me shfaqjen “Marksistët e Leninistët e Zvicrës” nga Jeton Neziraj, regjisore Blerta Neziraj, Teatrin “A.Z. Çajupi” nga Korça  me shfaqjen “5 ditë mbret” nga Stefan Çapalikit dhe përfundon me shfaqjen “Stiffler” nga Doruntina Basha, regjisor Kushtrim Koliqi, prodhim nga “Integra”.

Erson Zymberi, drejtor i Teatrit të Qytetit të Gjilanit, ka thënë për KALLXO.com se festivali “Talia e Flakës” është festivali më unik në vend, i cili, siç ka thënë  ai, përmes politikave të tij artistike dhe kritereve të vendosura për pjesëmarrje ndihmon në zhvillimin e dramës dhe teatrit shqiptar.

“Ky festival është një formë dhe pasqyrë e gjendjes së teatrit tonë dhe dramaturgjisë sonë sepse me programin e konceptin e tij përmbajtjesor paraqet dhe kapacitetet aktuale si dhe nevojat e shkrimit të dramës shqipe”, ka thënë Zymberi.

Ai ka thënë se një nga eventet më interesante në kuadër të këtij festivali, përveç shfaqjeve të festivalit, është prezantimi i dramave të shkruara në kuadër të Laboratorit të Dramës Shqipe të edicionit të parë si dhe poashtu edhe prezantimet e dramave të nisura gjatë edicionit të dytë të këtij laboratori.

Zymberi ka thënë se festivali ka karakter garues dhe çmimet e festivalit përfshijnë çmimin për: dramën më të mirë, shfaqjen më të mirë, Regjinë më të mirë, aktorin më të mirë, aktoren më të mirë, etj.