Përurohet restaurimi i mullirit të shekullit 19-të në Graboc të Obiliqit

Mulliri i Behramajve në Graboc të Obiliqit, i vitit 1864, objekt i trashëgimisë kulturore, është restauruar si kujtesë e historisë.

Në përurimin e restaurimit të mullirit morën pjesë ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, e shoqëruar nga zëvendësministrat Halil Matoshi dhe Qazim Rrahmani si dhe kryetari i Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi.

Me këtë rast, ministrja Dumoshi tha se mulliri është pjesë e veçantë dhe e rëndësishme e kësaj zone, i cili ka luajtur një rol jetik në jetën e njerëzve dhe ka shërbyer për furnizimin e banorëve me përbërësin kryesor të ushqimit – miellin.

“Ky mulli ka një histori dhe i cili i ka mbijetuar fazave të ndryshme të historisë, përplasjeve të ndryshme, sidomos me këtë pjesë të popullatës, e që në luftën e fundit, banorët janë furnizuar me miell prej këtij vendi”, u shpreh ndër të tjera ministrja, duke thënë se ndjehet e lumtur që është restauruar ky objekt i trashëgimisë kulturore.

Lidhur me mullirin e restauruar ka folur edhe kryetar i Komunës së Obiliqit.

Xhafer Gashi ka thënë se ky mulli, i familjes Mjekiqi, ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në kohën e luftës së fundit në Kosovë.

“Mulliri daton që nga viti 1864 dhe për Obiliqin ka rëndësi të veçantë, ky mulli ka qenë “bukë e krypë e zemër“ për banorët e fshatit por edhe për fshatrat e trevës së Drenicës dhe Qyqavicë. Andaj, restaurimi i tij është realizuar në kuadër të investimeve kapitale të komunës tonë, në funksion të ruajtjes së trashëgimisë kulturore dhe identitetit tonë kombëtar”, citohet të ketë thënë kryetari Gashi sipas një komunikate të Komunës së Obiliqit.

Gjithashtu, në kuadër të vizitës në Komunën e Obiliqit, ministrja ka zhvilluar një takim në Komunë, ku me kryetarin Xhafer Gashi, kanë diskutuar për projektet që deri tani Ministria ka investuar në këtë komunë, sikurse është Shtëpia e Kulturës, të cilin ministrja pati rastin të vizitojë dhe e cilësoi si një investim me vend, të cilin e ka mbështetur MKRS-ja.

Ministrja Dumoshi e informoi kryetarin Gashi se MKRS-ja do ta përkrahë për vitin 2021 me dy projekte të rëndësishme të cilat komuna i parasheh më me prioritet. Ajo porositi kryetarin që të informojë dhe nxisë organizatat rinore që të aplikojnë në thirrjet që ministria shpall për financim të projekteve për rini.

Nga ana e tij, kryetar i Obiliqit, Xhafer Gashi, e falënderoi ministren Dumoshi për tërë përkrahjen që ka dhënë dhe që planifikon për vitin e ardhshëm në projektet që janë me interes për Komunën e Obiliqit.

Kryetari Gashi tha se MKRS-ja në vazhdimësi e ka pasur në vëmendje komunën e Obiliqit.

Dumoshi e Gashi vizituan edhe shkollën “Ismail Dumoshi” në Obiliq, e cila mban emrin e heroit të Kosovës, i cili është i ati i ministres Vlora Dumoshi.

(Ky raport është edituar te pjesa ku flitet për institucionin që e ka financuar restaurimin e Mullirit të Behramajve)