Përsëritet konkursi, 59 kandidatë mësyjnë Bordin e Këshillit për Trashëgimi Kulturore

59 kandidatë kanë konkurruar në konkursin e përsëritur për zgjedhjen e Bordit të Këshillit të Kosovës për Trashëgiminë Kulturore.

Aplikimi për këtë konkurs ka përfunduar javën e kaluar.

“Numri i kandidatëve që kanë aplikuar është 59”, thuhet në përgjigjen e Kuvendit të Kosovës për KALLXO.com.

Konkursi për zgjedhjen e Bordit të KKTK-së është përsëritur pas dështimit të konkursit të parë zgjedhjes së Bordit në seancën e 21 shtatorit, nga konkursi i të hapur në pranverë të këtij viti.

Kuvendi bën të ditur se shqytrimi i listës së kandidatëve konkurrues do të nisë nga java e ardhshme.

“Të martën, më 27. 10. 2020, Komisioni planifikon të mbajë mbledhje për shqyrtimin e listës se kandidatëve për KKTK”, thuhet në përgjigjen e Drejtorisë për media dhe marrëdhënie me publikun e Kuvendit të Kosovës.

Që nga korriku i  2018 KKTK-ja ka mbetur pa Bord.

Sipas Ligjit për Trashëgiminë Kulturore, KKTK-ja ka një rol me rëndësi në trashëgiminë kulturore, sidomos në përpilimin e Listës së Përhershme të Trashëgimisë nën mbrojtje të shtetit.

Moskonsolidimi i Bordi i KKTK-së pamundëson pasurimin e Listës së përhershme të trashëgimisë nën mbrojtje të përhershme me asetet të reja.

Bordi i KKTK-së përbëhet nga shtatë anëtarë të cilët zgjidhen nga Kuvendi i Republikës se Kosovës më mandat trevjeçar, duke respektuar përbërjen etnike në Kosovë.