Foto: UN Women Kosovo

Për shkak të pandemisë anulohet organizimi i "Javës së Bibliotekës së Kosovës" 

Biblioteka Kombëtare e Kosovës ‘Pjetër Bogdani” në Prishtinë ka anuluar mbajtjen e edicionit të 18-të të “Javës së Bibliotekës në Kosovës”. 

Drejtori i BKK-së Fazli Gajraku ka thënë për KALLXO.com se edicioni i 18-të i “Javës së Bibliotekës në Kosovë”, veprimtari kjo që zhvillohet nën përkujdesjen dhe përkrahjen e Ministrisë së Kulturës të Kosovës dhe të Ambasadës së ShBA-së, për shkak të situatës dhe rrethanave të krijuara nga pandemia është anuluar. 

“Jave e Bibliotekës në Kosovë nuk do të mbahet këtë vit dhe ne po sillemi, me këtë rast, sipas normave, rregullave dhe praktikave botërore të bibliotekave – me këtë tast edhe të bibliotekave nacionale, për mbrojtjen nga sëmundja COVID-19”, ka thënë Gajraku. 

Sipas tij, BKK-ja ka qenë në përgatitje të “Javës së Bibliotekës”, duke qenë në komunikim dhe bashkëpunim edhe me Ambasadën e ShBA-së, për të sjellë ekspertë nga Shtetet e Bashkuara për këtë Javë, e cila, siç dihet, sjell gjatë çdo edicioni nga një deri në dy ekspertë nga fushat themelore të bibliotekarisë dhe të shkencave të informacionit. 

“Java e Bibliotekës në Kosovë” ka qenë e planifikuar të mbahet ndërmjet datave 20 e 26 prill të këtij viti, me temën bosht: “Kujtesa e Kosovës: Dokumentimi i kulturës së emigracionit”.