Pas Parisit, ‘Nata e bardhë’ mbahet edhe në Prizren

Organizuar nga Aleanca Franceze në Prishtinë, në partneritet me Komunën e Parisit dhe atë të Prizrenit, më 14 shtator në Prizren mbahet për herë të parë ‘Nata e bardhë” (Nuit Blanche).

Ambasada franceze në Prishtinë bën të ditur se Aleanca Franceze prezanton në fundjavë edicionin e parë të “Natës së Bardhë” në Prizren.

Kjo natë do të fillojë në ora 19:00 dhe është paraparë të mbahen një sërë aktivitetesh në ambiente të ndryshme të qytetit të Prizrenit.

Sipas komunikatës, “Nata e Bardhë” është një kremtim i përvitshëm i artit dhe i eksplorimit të lirë të imagjinatës që shtrihet prej perëndimit deri në agim.

Tema e këtij edicioni të parë të “Nuit Blanche” në Prizren është: Qyteti i hapur.

“Qytet i hapur është qyteti i të gjithëve, qyteti i së tashmes që nuk e ka harruar veten kur projektohet në të ardhmen. Në kohë lufte kur një qytet shpallet i ‘hapur’ kjo do të thotë se po dorëzohet me kusht që të mbrohen civilët dhe trashëgimia kulturore e historike e qytetit, e cila në të kundërt do të vuante pasojat shkatërruese të një beteje të kotë”, thuhet në komunikatën e Ambasadës Franceze.

Eventet artistike të cilat e reflektojnë temën dhe qytetin, sipas komunikatës,  do të krijojnë një rrugëtim përmes një programi ku përfshihen instalacione me dritë dhe intervenime artistike, performanca, pjesë muzikore dhe eksperimentale si dhe shfaqje të veprave të video-artit.

“Nata e Bardhë” organizohet nga Aleanca Franceze në partneritetit me Komunën e Prizrenit dhe Komunën e Parisit, e mbështetur nga Instituti Francez, Fondacioni Lumbardhi, Bashkimi Europian, Ambasada Franceze dhe Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës.

 

 

Programi i Natës së Bardhë:

Prizren “Open” City, 20:00-07:00

Doruntina Kastrati, Driton Selmani, Naïmé Perrette, Olson Lamaj dhe Yo – Yo Gonthier janë artistët e ftuar dhe të cilëve iu është komisionuar të realizojnë një punë apo intervenim artistik për të hapur një dialog mes asaj që shihet dhe asaj që perceptohet si hapësirë e përbashkët e qytetit.

Në Vend Të, 20:00 – 05:00

“In Place Of” është një ekspozitë e vendosur në rrugët e qytetit. Ekspozita përbën një përzgjedhje të fotografive dhe të ndërtesave kryesore historike të Prizrenit, duke projektuar aty ku kanë qenë të vendosura fillimisht. Në këtë mënyrë, duke shtruar pyetje nëse ato ende ekzistojnë ose jo, dhe shtresat dhe ndryshimet që qyteti ka përjetuar. Kjo përzgjedhje është kryer nga hulumtuesi Senat Haliti.

Proto Cinema prezanton “Of Our Own Making” te Lumbardhi, 20:00 – 07:00

Përzgjedhja e punëve të video-artit të komisionuar nga Protocinema “Of our Own Making” thekson temën e kufijve të jetës urbane të konstruktuar dhe ndikimin psikologjik të zhvillimeve shoqërore – antike, historike dhe të së ardhmes – nga perspektiva të ndryshme.

Dedication – Performancë muzikore, 21:00 – 22:00

Katedralja katolike Zoja e Ndihmës së Përhershme do të qëndrojë e hapur për publikun për një pjesë muzikore, përkatësisht një përformancë duo të kitarës. Përformanca do të realizohet nga Elvis dhe Gjulian Bytyqi, kitaristë nga Prizreni.

Natë Poetike me Ndriçim Ademaj, 22:00 – 23:00

Ndiriçim Ademaj do të lexojë poezitë e tij nga libri “Rruga e Farkëtarëve” në Halveti Tekke të shekullit 16-të, në rrugën ku poezitë e tij kanë marrë formë.

La Mère de l‘eau: Performancë audio – vizuale, 23:00 – 05:00

Një pjesë audio-vizuale e punuar nga grupi francez Flashback dhe artisti kosovar Liburn Jupolli, kjo performancë rizbulon praninë e ujit dhe gjithçka ujore në jetën e Prizrenit.

Pazari i Mbrëmjes, 20:00 – 23:59

Në këtë mbrëmje nuk do të mungojnë shijet karakteristike të qytetit, në një treg të hapur artizanët dhe shitësit ftohen të sjellin të mirat e tyre ndërkohë që publiku mund të degustojë dhe të marrë njohuri mbi prodhimet vendase.

Aktivitetet Paralele: Muzeu i Lidhjes së Prizrenit, Muzeu Arkeologjik, Muzeu Etnologjik dhe ekspozita të Autostrada Bienale do të jenë të hapura gjatë natës me hyrje falas, ndërsa qëndrojnë të hapura edhe kafenetë, restorantet dhe dyqanet në qendrën historike të qytetit.