Pas dy vjetësh rikthehet Panairi i Librit në Prishtinë  

Pas dy vjetësh, në qershor të këtij viti pritet të organizohet edicioni i 22-të i Panairit të Librit në Prishtinë.

Më 2020 dhe 2021 panairi nuk është mbajtur për shkak të pandemisë COVID-19.

Edon Zeneli, kryetar i Shoqatës së Botuesve të Kosovës ka thënë për KALLXO.com se janë duke u bërë përgatitjet e nevojshme që këtë viti, pas dy vitesh mungesë si pasojë e luftës me pandeminë, të mbahet edicioni i 22-të i Panairit të Librit.

“Si gjithmonë, Panairi pritet të fillojë në të martën e parë të qershorit, pra më 7 qershor dhe të zgjas deri të dielën më 12 qershor 2022. Panairi tradicionalisht organizohet në platenë e Pallatit të Rinisë, Sallën e Kuqe, Atelienë dhe korridorin që lidh sallat dhe platenë”, ka thënë Zeneli.

Edhe këtë viti, sipas tij, pritet të marrin pjesë mbi 100 botues eminent nga të gjitha trevat shqiptare.

Tradicionalisht, Panairi i Librit në Prishtinë është mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Komuna e Prishtinës.

“Sivjet, për shkak se thirrjet për mbështetje kulturore janë hapur relativisht vonë, nuk kemi ende konfirmime mbi mbështetjen por besojmë që do të vazhdojë ndihma, si gjithnjë”, ka thënë Edon Zeneli, kryetar i Shoqatës së Botuesve të Kosovës.

Panairi i Librit i Prishtinës, krahas atij të Tiranës është panairi më i madh i librit shqip.

Ky panair organizohet nga Shoqata e Botuesve të Kosovës.