Pamje nga provat në Baletin Kombëtar. Foto: KALLXO.com

Pas 12 shkurtit nisin procedurat për zgjedhjen e drejtorit të Baletit Kombëtar

Dy javës pas opinionit të Institucionit të Avokatit të Popullit, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ende nuk ka nisur procedurat e konkursit për zgjedhjen e drejtorit të Baletit Kombëtar të Kosovës (BKK).

Procedurat nuk pritet të nisin para 12 shkurtit 2022.

Konkursi për zgjedhjen e drejtorit të Baletit Kombëtar të Kosovës, ishte hapur më 26 dhjetor 2021 dhe në garë për këtë pozitë janë 6 kandidatë: Sabrie Spahiu, Kreshnik Musolli, Driton Saqipi, Mirsad Ferati, Sinan Kajtazi, Labinot Rexhepi.

Konkursi ishte mbyllur më 9 dhjetor 2021, por procedurat për verifikimin dhe testimin e kandidatëve u bllokuan pas një shqetësimi të ngritur nga Institucioni i Avokatit të Popullit (IAP).

Përgjigjen nga IAP, MKRS e mori më 13 janarit 2022, por procedurat e konkursit nuk vazhduan.

MKRS ka bërë të ditur për KALLXO.com se kishte planifikuar që procedurat, testimi me shkrim i kandidatëve të nisin rreth datës 12.02.2022.

“Konkursi tashmë është duke vazhduar dhe ne nuk e përjashtojmë mundësinë që afati i caktuar më parë zhvillimin e testimit, të tejkalojë datën 12 shkurt. Në këtë pikë Këshilli Drejtues është plotësisht i pavarur në zbatimin e detyrimeve ligjore që rrjedhin nga Ligji për Filharmonine, Operën dhe Baletin dhe Statutin e Baletit Kombëtar të Kosovës, ndërsa, Divizioni i Menaxhimit të Burimeve Njerëzore i MKRS, zbaton detyrimet ligjore për mbarëvajtjen e procedurës”, thuhet në përgjigjen e MKRS-së.

Leonora Rexhepi, kryetare e KD-së ka thënë për Kallxo.com se testimi me shkrim i kandidatëve nuk mund të mbahet deri pas 12 shkurtit.

“Për shkak të mungesës së njërit prej anëtarëve të KD-së procedurat për konkursin do të bëhen pas 12 shkurtit. Për këtë ne do të jemi në koordimim të ngushtë me administratën e MKRS-së”, ka thënë Rexhepi, kryetare e KD-së së TKK-së.

Opinioni i Institucionit të Avokatit të Popullit

Opinioni i IAP-së, i kërkuar nga njëri prej kandidatëve konkurues, sugjeron MKRS-në dhe KD-në e BKK-së, që balerinëve kosovarë, përvoja profesionale e punës t`u njihet (llogaritet) nga dita e lidhjes së marrëdhënies së punës, në bazë të diplomës së shkollës së mesme e lartë profesionale të baletit.

Ky vlerësim i IAP-së vlen sidomos për balerinët e Baletit Kombëtar.

Në dy prej kritereve të konkursit për drejtor të BKK-së, kërkohet që kandidatët të kenë përgatitje profesionale në fushën e artit dhe të kulturës; të kenë 7 vjet përvojë pune profesionale dhe 4 menaxheriale.

Duke u bazuar edhe në Ligjin për Baletin, IAP sugjeron që këto dy kritere të trajtohen ndaras, dhe kriteri i përvojës, profesionale duhet të vlerësohet ndaras nga kriteret tjera.

Sipas IAP-së, shkollimi më i lartë arsimor në vend për baletin është shkolla e mesme, përkatësisht shkolla e mesme e lartë profesionale, diploma e së cilës shërben si bazë për të lidhur marrëdhënie të punës nga balerinët.

“Avokati i Popullit konsideron se përvoja profesionale e punës për balerinët duhet të llogaritet periudha prej momentit kur ata kanë lidhur marrëdhënie pune me Baletin Kombëtar të Kosovës, pa marrë parasysh nëse ata kanë kryer shkollim universitar, por vetëm të kenë të përfunduar shkollimin e Mesëm të Lartë në fushën e baletit”, thuhet në opinionin e IAP-së.

Sipas ligjit për Filharmoninë, Operën dhe Baletin (FOB), drejtori i BKK-së zgjedhet nga Këshilli Drejtues i këtij institucioni.

“Drejtori zgjedhet në bazë të konkursit publik të shpallur nga Këshilli Drejtues me propozim të Këshillit artistik.

Për drejtor të Baletit zgjedhet personi me përgatitje profesionale në fushën e artit dhe të kulturës, si dhe me përvojë dhe aftësi udhëheqëse”, thuhet në nenin 46 të Ligjit për FOB-në.

Drejtori i Baletit zgjedhet me mandat 3 vjeçar.

Që nga 2018 BKK udhëhiqet me ushtrues të detyrës së drejtorit.