Vasiliki Maltasoglou. Foto: KALLXO.com

Pas 11 edicioneve, festivali ‘Ballkani përtej kufijve’ zbret në Prishtinë

Edicioni i 12-të i festivalit të filmit të shkurtër, “Ballkani përtej kufijve” (Balkans Beyond Borders– BBB) do të mbahet në Prishtinë nga 28 deri më 31 tetor 2021, në Kino Armata.

Festivali do të hapet të enjten nga ora 18:00, me ceremoninë e hapjes dhe fillimin e programit garues.

Festivali BBB promovon bashkëpunimin e të rinjve në Ballkan. duke përdorur krijimin e filmave të shkurtër dhe fuqinë e imazhit.

Për 11 edicione ky festivali është organizuar çdo vit në një shtet të ndryshëm evropian duke promovuar dialogun dhe krijimin e lidhjeve kulturore të të rinjve të Ballkanit. Njëjtë synohet dhe me edicionin e sivjetmë që mbahet në Kosovë.

Gjatë një konference për media, drejtoresha e festivalit “BBB, Short Film Festival”, Vasiliki Maltasoglou ka thënë  se edicioni i sivjetmë mbahet me temën “Skin to (Screen to) Skin”, me pjesëmarrjen e 33 filmave nga shtetet të ndryshme evropiane, veçmas ballkanike.

“Lidhja në mes të njerëzve, familjeve që u sfiduan si pasojë e pandemisë do jetë tema kryesore e festivalit, në të cilin në garë për njërin nga çmimet janë 33 filma të shkurtër nga Shqipëria, Rumania, Serbia, Greqia, Mali i Zi, Kosova, Turqia, etj.”, ka thënë drejtoresha Maltasoglou.

Sipas saj, festivali do të ketë edhe tri shfaqje speciale që do të përfshijnë programin e shfaqjeve, “BBB Fokus- Hungari”, “BBB përtej” (Programi Ndërkombëtar) dhe BBB & Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Prishtinë, (Prifest) dhe festivale tjera.

“Juria e festivali përbëhet nga Burcu Biricik, aktore turke, Luana Bajrami, regjisore nga Kosova dhe Drita Lolla, drejtore e Festivalit të Filmit në Mal të Zi. Do të ndahen çmimet: ‘Çmimi më i mirë BBB”, ‘Hyrja e parë”, ‘Publiku dhe përmendje speciale””, ka thënë ajo.

Deri më tani, “Balkans Beyond Borders” (BBB) ​​ka mbajtur 11 edicione, qëllimi i së cilit është përmirësimi i bashkëpunimit ndërmjet festivaleve lokale, qendrave të filmit dhe punëtorive të filmit në mënyrë që të krijojmë një rrjet ndërballkanik, për të promovuar me punën e artistëve të rinj nga rajoni dhe më gjerë.