Pantina botoi librin 'Reflekse nga gazetaria'

Libri mbi artin e shkrimit “Reflekse nga gazetaria” i autorit Imer Pantina, vjen si një modul mbi të shkruarit gazetaresk. 

Libri “Reflekse nga gazetaria” ofron ide dhe shembuj praktik sesi mund dhe duhet të shkruhet një revistë, si funksionon një redaksi në kushte të kufizuara, efektet dhe ndikimet e ekranit në shoqëri, komenti kulturor, emisionet televizive për fëmijë, edukimi mediatik në shkolla, radio dhe ambientura e saj, e deri te bashkëveprimi mes gjuhës, letërsisë e gazetarisë. 

Studiuesi Mahir Morina shkruan se nxjerrja e librave të tillë për lexuesin e angazhuar, që nxit njohurinë mbi të shkruarit, është një kontribut serioz që paraqet praktikën dhe nevojën për artikulimin e shkruar, si mjet shprehës.  

“Libri pra lexohet si një udhëzues shkrimi, ku qartësohet sesi organizohet dija, informacioni dhe si arrihet deri të botimi i tij, përmes punëve zinxhirore dhe skemave bashkëkohore, ku tashmë digjitalizimi vihet në shërbim, si një mundësi për kombinime të mëdha mes shkrimit, fotografisë dhe zërit”, ka shkruar Morina për librin e Pantinës.