Teatri i Ferizajt "Adriana Abdullahu"

Pandemia zvarrit hapjen e konkurseve të teatrove

 

Me përhapjen e virusit COVID-19, në muajin mars teatrot u mbyllën për një kohë të pacaktuar, premierat u shtyen, provat u anuluan dhe repertori artistik u pezullua, si masa parandaluese të përhapjes së virusit.

Si pasojë e kësaj gjendje problemet kryesore që iu paraqiten këtyre institucioneve kulturore janë pamundësia e hapjes së konkurseve pas miratimit të buxhetit 2020, dhe humbjet e repertorit artistik.

Sipas drejtorit të Teatrit “Hadi Shehu”-Gjakovë, Edi Kastrati probleme financiare nuk kanë pasur, por masat kufizuese kanë bërë që të pamundësohet hapja e konkurseve për rekrutim të aktorëve dhe pjesës tjetër të stafit. Ndër tjerash, tregoi edhe për transmetimet në formatin livestream të cilat kanë qenë formë e mirë që të jenë pranë publikut edhe në kohë pandemie.

“Shfaqjet që i kemi paraqitur në formatin livestream kanë treguar që teatri nuk mund të zhduket”, tha Kastrati.

Njësoj, edhe  drejtori i Teatrit “Adriana”- Ferizaj, Fatmir Hyseni, tha teatri goditjen më të madhe ka marrë nga ndalimi i aktiviteteve, pezullimin e repertorit dhe konkurset. Hyseni tha se fillimisht problem ishte mos miratimi i buxhetit të Kosovës nga Kuvendi, pastaj edhe pas miratimit të buxhetit ndalimi i hapjes së konkurseve si pasojë e pandemisë. Por tash janë në proces të hapjes së konkurseve për aktorë dhe pjesën tjetër të stafit.

“Financiarisht është goditur pasi që teatrot e qyteteve këtë vit kanë buxhetin e miratuar, por nga pamundësia e hapjes se konkurseve për shkak të pandemisë nuk kemi pas mundësi të shfrytëzimit të buxhetit sidomos në linjën e rrogave dhe mëditjeve”, tha Hyseni.

Fetah Paçarizi, drejtor i Teatrit “Bekim Fehmiu”- Prizren, tha se duke ditur specifikat e teatrit që janë të ndryshme nga çdo sektor tjetër, humbja ma e madhe.

Ndërsa, për konkurse tha se së bashku me Ministrinë e Kulturës dhe Drejtorinë e Kulturës janë duke punuar  për përgatitjen e konkursit për rekrutimin e vendeve të punës për aktorë dhe staf përcjellës teknik.

“Komuna i ka dhënë pagat për aktoret dhe stafin për mars dhe prill, sigurisht që do t`i japë edhe për maj, pra gjatë muajve që nuk është punuar. Kjo është mbështetja nga Komuna”, tha Paçarizi.

Ndërsa për rikthimin në skenën e teatrit pas gati tre muajsh Edi Kastrati, tha se Teatri i Gjakovës ka arritur të rikthehet edhe pas luftës, do të rikthehet edhe pas kësaj krize.

“Teatri ka qenë gjithmonë, edhe para neve, është, dhe gjithmonë do të mbes, pa marrë parasysh vështirësive që do paraqiten”, tha ai.

Ndërsa sipas Fatmir Hysenit, do të ketë vështirësi të shumta për shkak se çdo shfaqje para se të paraqitet duhet të bëjë prova gati dy javë. Dhe se ende nuk kanë asnjë udhëzim se si do të ndodh hapja e teatrove, dhe kriteret e hapjes së teatrit për publikun.

Për këtë çështje, Fetah Paçarizi tha se ideja e tij është që nëse fillojnë të jepen shfaqjet teatrore dhe të filloj puna me 1 qershor, për të ruajtur distancën dhe për t’i respektuar të gjitha rekomandimet e IKSHPK-së, duhet që publiku të vendoset tek çdo e dyta karrige dhe të jetë i pajisur me maska, dorëza.

“Pra, salla jonë ka 370 vende, duhet të jenë prezent 185 shikues”, tha Paçarizi.

Me përhapjen e virusit COVID-19, me 12 mars me vendim të Qeverisë për masat kufizuese u mbyllen të gjitha institucionet kulturore. Ndërsa me 3 prill, teatrot filluan me transmetim të shfaqjeve në formatin livestream.