Pandemia përgjysmoi aktivitetet e institucioneve kulturore 

Përhapja e pandemisë së Coronavirusit – COVID-19 ka bërë që institucionet kulturore të anulojnë pjesën më të madhe të aktiviteteve kulturore të planifikuara për këtë vit.

Në pamundësi për të realizuar programet e planifikuara për 2020, institucionet janë detyruar të riprogramojnë repertorin duke iu përshtatur kushteve pas përhapjes së pandemisë.

Përveç programit artistik të planifikuar, COVID-19 ka prekur edhe një pjesë të stafeve të këtyre institucioneve, duke bërë që të anulohen disa prej premierave të planifikuara.

Drejtues të institucioneve të Kulturës kanë potencuar për Kallxo.com se masat e reja që pritet të marrë qeveria për parandalimin e pandemisë do të ndikojnë negativisht në agjendat kulturore.

Foto: Arkiv

Filharmonia e Kosovës ka pësuar më së shumti nga COVID-19. Ky institucion këtë vit shënon 20 vjetorin e themelimit dhe është dashur të anulojë pjesën kryesore të programit të planifikuar për këtë vit, veçmas pjesëmarrjet jashtë vendit.

Drejtori i Filharmonisë, Baki Jashari ka thënë se pas lejimit të pjesëshëm të mbajtjes së aktiviteteve, nga 15 tetori e deri më sot, Filharmoia ka realizuar 6 projekt- koncerte, gjithënjë duke zbatuar masat qeveritare për parandalimin e pandemisë.

Ai ka thënë se për shkak të situatës Filharmonia është dashur të riprogramojë repertorin.

“Ne jemi detyruar t’i përshtatemi situatës dhe masave të marra për parandalimin e pandemisë dhe duke u munduar të shfrytëzojmë në maksimum masat lehtësues dhe nëse nuk do të ketë ashpërsim të masave ne planifikojmë të realizohjëm diku 80 % të repertorit të riplanifikuar”, ka thënë Jashari.

Edhe Teatri Kombëtar është detyruar të anulojë shumë prej shfaqjeve të planifikuar për këtë vit. Madje nga dita e djeshme (10.11.2020) TKK-ja ka anuluar repertorin deri në një vendim të ri nga institucione rreth masave anti COVID-19.

Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

“Kemi realizuar tri shfaqje nga repertori i këtij viti. Dy prej tyre janë koproduksione, ndërsa njëra nga ato është e skenës së vogël. Buxheti i shpenzuar në përqindje dhe në relacion me repertorin që pritet të realizohet është shumë i vogël. 370 mijë është totali i buxhetit të përgjithshëm”, ka thënë Shatrolli, ushtrues i detyrës së drejtorit të TKK-së, për Kallxo.com.

Ndërsa, Baleti Kombëtar i Kosovës deri më tani ka arritur të realizojë vetëm një premierë dhe disa repriza të planifikuara për 2020.

Kreshnik Musolli, ushtrues i detyrës së drejtorit të BKK-së ka thënë se për këtë vit BKK-së i është ndarë një buxhet prej 195,000 eruo, ndërsa kanë mundur të shpenzojë diku 42,000 euro nga ky buxhet.

“Plani ka qenë të realizohen 3 premiera, mirëpo shkaku i pandemisë se COVID-19 deri me tani është realizuar vetëm premiera e parë që ishte më 05.03.2020 – shfaqja ‘Pushimi i Kalorësve’ nga koreografja Natalia Osipova”,  ka thënë Musolli për Kallxo.com.

FOTO : Baleti Kombëtar i Kosovës