Bashkëbisedimi me poetin Agim Vinca (12.12.2024). Foto: KALLXO.com.
“Panairi i Librit të Vjetër, të Rrallë dhe të Përdorur”, mbahet bashkëbisedim me poetin Agim Vinca
Poeti dhe studiuesi i letërsisë, Agim Vinca, ka mbajtur një bashkëbisedim me lexuesit në kuadër të edicionit të V-të të “Panairit të Librit të Vjetër, të Rrallë dhe të Përdorur”, që po mbahet në Bibliotekën “Hivzi Sulejmani” në Prishtinë.
Gjatë këtij bashkëbisedimi të mbajtur më 12.12.2024, të moderuar nga shkrimtari Bedri Zyberaj, poeti dhe studiuesi Vinca ka folur për krijimtarinë e tij letrare, poezinë, zhvillimin e letërsisë shqipe gjatë viteve, deri tek debatet e fundit për standardin e shqipes.
Vinca ka thënë se lehtësia shqipe është një dhe e tillë duhet të trajtohet nga studiuesit e kritikët e saj, gjatë botimit të studimeve e antologjive të letërsisë shqipe.
Ai ka drejtuar kritika ndaj botimeve të antologjive të poezisë shqipe, pa përfshirë gjithë poetët shqiptarë nga gjithë hapësira shqiptare. Ai ka përmendur edhe veprën e tij “Struktura e zhvillimit të poezisë së sotme shqipe (1945-1980)”, të botuar në viti 1985, i cili pavarësisht zhvillimeve politike të asaj kohe, i përfshiu në studim të gjithë shkrimtarët shqiptarë (poetët nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, arbëreshët nga Italia, etj.).
“Koncepti im prej atëherë ishte dhe vazhdon të jetë edhe sot se ka një gjuhë shqipe, ka një kulturë shqiptare dhe ka një letërsisë shqipe”- tha Vinca.
Sipas tij, gjuha shqipe është ajo që i bashkon shqiptarët të shpërndarë në disa shtete ballkanike e me disa fe.
Vinca ka thënë se gjuha shqipe rrezikohet nga trysnia dhe ndikimi i gjuhëve të huaja dhe neglizhenca dhe mospuna e folësve të shqipes. Studiuesi Vinca ka kritikuar dhe debatet dhe siç ka thënë ai tendencave për rivlerësim të Kongresit të Drejtshkrimit të Shqipes, si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë.
Poeti Vinca ka folur edhe për poezinë, që sipas tij, poezia ka tri elemente të cilat siç ka thënë ajo shprehin emocion, reflektim e mendim.
“Poezia është sintezë e ndjenjës, e mendimit dhe shprehjes së lirë”- tha Vinca. Ndërsa ka thënë se poezia shqipe sot është në rrugë të mbarë dhe po ndjek trendët e asaj evropiane në hap me zhvillimet e fundit tekniko – teknologjike.
Edicioni V-të i ‘Panairit të Librit të Vjetër, të Rrallë dhe të Përdorur’ ka nisur më 11.12.2024 dhe mbyllet më 13.12.2024.