Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Pak interesim nga bizneset për sponsorizim të aktiviteteve kulturore

Fare pak interesim është treguar nga bizneset për të sponsorizuar aktivitetet kulturore. Në dy vitet e fundit, 2019 dhe 2020, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka lëshuar vetëm 26 vërtetime që arsyetojnë sponsorizimet në kulturë nga ana e subjekteve të ndryshme afariste.

Për këto dy vite e fundit, vlera e sponsorizimit nuk i kalon 700 mijë euro.

Në një përgjigje të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit për KALLXO.com, thuhet se në 2019 vlera e aktiviteteve të sponsorizuara ishte 68 mijë euro.

Por, në 2020 vlera e sponsorizimeve në kulturë u rrit dukshëm. Sipas MKRS-së, gjatë vitit që shkoi kultura përfitoi 629,695 euro nga sponsorizimet.

“Gjatë viteve 2019 dhe 2020 janë lëshuar këto vërtetime në fushën e kulturës: Viti 2019 – 4 vërtetime, shuma e dhënë për sponzorizime  68,000.00 euro dhe viti 2020 – 22 vërtetime, shuma e dhënë për sponsorizime 629,695.00 euro”, thuhet në përgjigjen e MKRS-së për KALLXO.com.

Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Në viti 2016 Kuvendi i Kosovës miratoi Ligjin për Sponsorizime në fushën e Kulturës dhe Sportit. Ndërsa në 2019 Kuvendi i Kosovës votoi për amandamentimin e tij dhe harominizimin me Ligjin për Tatimin në të Ardhurat e Korporatave.

Sipas Ligjit për Sponsorizim, subjektet që sponsorizojnë aktivitetet në Kulturë, përfitojnë zbritje prej 20 % të tatimit në fitim.

Arsye e interesimit të pakë të bizneseve për sponsorizim në Kulturë, janë të ndryshme. Por, sipas krijuesve dhe njohësve të zhvillimeve ekonomike, një faj për këtë e bartë edhe Ligji për Sponsorizime në Kulturë, Rini dhe Sport.

Berat Rukiqi, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës ka thënë për KALLXO.com se çështja e sponsorizimeve varet nga interesi që kanë subjektet afariste.

“Siç e dini është miratuar Ligji për Sponsorizime dhe kjo ka krijuar një lehtësi për bizneset. Pastaj kjo çështja e orientimit të mjeteve të sponsorizimit është çështje subjektive. Secili biznes e vlerëson aty ku është dukshmëria më e madhe. Me gjasë konsiderohet prej bizneseve se efekti i sponsorizimeve është më i vogël në kulturë se në sport”, ka thënë Rukiqi.

Ai ka thënë se çështja e sponsorizimit lidhet edhe me vetë organizimin e komunitetit, ndërkombëtarizimin dhe zotësinë e Oorganizatave Joqeveritare për të thithur sponsorizimet.

Ben Apolloni, regjisor, në një prononcim për KALLXO.com është shprehur se bizneset nuk sponsorizojnë sepse nuk kanë interes.

Sipas tij, Ligj për Sponsorizim ka dalë të jetë jo-funksional për sferën e kulturës.

“Ligji është ashtu si është, është diskriminues ndaj kulturës. Mendoj që duhet krijuar lehtësirat e nevojshme, qoftë edhe ato burokratike, e mandej sponsorët me siguri do të reagojnë, do ta përkrahin kulturën”, ka thënë regjisori Apolloni.

Urim Krasniqi/Kallxo.com

Safet Gërxhaliu, ekspert në fushën e ekonomisë ka thënë për KALLXO.com se arsyet e interesimit të pakët për të sponsorizuar aktivitetet në kulturë janë të shumta.

Sipas tij, mungon fokusi i politikës dhe institucioneve për fushën e kulturës, pavarësisht sukseseve që po korrin krijuesit tanë jashtë, siç i ka quajtura ai, ambasadorët e vërtetë të shtetit të Kosovës.

Gërxhaliu ka thënë se institucionet duhet të krijojnë kushtet e nevojshme që edhe fusha e kulturës të përfitojë nga mundësitë që ofron ai ligj.

“Ligji për Sponsorizime nuk është qartë i elaboruar, nuk është qartë i promovuar, kërkon një dialog social, kampanja për informim dhe tek atëherë, mund të pritet që bizneset mund t’ia mësyjnë sponsorizimit të artit dhe veprave artistike”, ka thënë ai.

Ligji për Sponsorizime në kulturë dhe sport parasheh lehtësuar në tatimore për subjektet që sponsorizojnë aktivitetet në kulturë, rini dhe në sport.

Bizneset të cilat sponsorizojnë aktivitetet e sportit, u njihet zbritja 30 për qind nga tatimi në fitim, ndërsa ato që sponsorizojnë aktivitetet e kulturës u njihet zbritja për 20 për qind nga tatimi në fitim.

“Sponsorizuesit në sponsorizimet në fushën e kulturës dhe rinisë u njihet zbritja njëzet për qind (20%) nga tatimi në fitim në bazë të Ligjit Nr.05/L-029 për Tatimin ne të Ardhurat e Korporatave”, thuhet në pikët 2, të nenit 12 të Ligjit për sponsorizime.

Festivali i filmave të animuar – Anibar foto Anibar – Foto: ANIBAR