FOTO - Behie Murtezi - FCB

Pa kushte e me shumë probleme, Baleti Kombëtar u rikthehet provave

Me shumë probleme e pa kushte pune balerinët e Baletit Kombëtar të Kosovës i janë rikthyer provave, 7 muaj pas ndërprerjes për shkak të pandemisë së Coronavirusit.

Balerinë kanë rinisur punë një ditë më parë, në sallën me dysheme të shkatërruar, pasqyra të thyera e dëmtime tjera në anekset e objektit që shfrytëzohen nga BKK-ja, që gjenden brenda objektit të Teatrit Kombëtar të Kosovës.

Hiq më mirë nuk qëndron puna as me banjot, erën e keqe e kanalizimi e gardërobat të cilat nuk i plotësojnë nevojat e stafit të  BKK-së për punët ditore.

Balerina Behie Muretzi, përmes një postimi në Facebook ka dokumentuar gjendje aspak të mirë të sallës së baletit.

“Fillim i ri pas një pauze të gjatë në sallën e vjetër me kushte të tmerrshme, tani jo Teatri i Operës e Baletit, bile veç me pas ly s’ është që kushton shumë”, ka shkruar ajo.

Salla e ushtrimeve të BKK-së. Foto: Facebook/Behie Murtezi

Edhe Kreshnik Musolli, ushtrues i detyrës së drejtorit të BKK-së, për Kallxo.com ka konfirmuar gjendjen e keqe të sallës së ushtrimeve dhe kushtet aspak të mira, edhe pas rifillimit të punës.

Vendimi i marrë nga Qeveria, më 25 shtator 2020, lidhur me masat anti-Covid19,  i mundësoi BKK-së që t’i riktheht punës me kapacitete të përgjysmuara.

“Puna ka filluar dje, së pari jemi vetëm me ushtrime të përditshme pastaj do të fillojmë me prova dhe shfaqje. Besoj që nga pjesa e dytë e muajit tetor do të startojmë me shfaqje dhe nëse gjithçka vazhdon si duhet në muajin nëntor fillojmë projektin e premierës së re”, ka thënë ai.

Ai ka shtuar se edhe pas rikthimi ata përballen me kushte të mjerueshme pune. Andaj, ai shton se duhet një ndërhyrje për sanimin e dëmtimeve.

Musolli nuk është në dijeni nëse do të ketë renovim të objektit, pavarësisht se MKRS ka shpallur tender për restaurim të TKK-së.

“Nuk kam asnjë informacion rreth renovimit të Teatrit por duhet patjetër të përfshihet renovimi tek salla dhe zhveshtoret tona pasi që dihet që kushtet janë të mjerueshme”, ka potencuar Musolli.

MKRS javë më parë ka hapur tender prej 100 mijë eurove për renovimin e infrastrukturës së Teatrit Kombëtar të Kosovës.

Sipas njoftimi, tenderi për renovimin e objektit të TKK-së përfshinë, ndërhyrjet në sistemin elektrik të objektit, ujësjellësin, përmirësim të rrjetit të kanalizimit, tualeteve dhe pastrimin e hapësirave të objektit (ndërhyrjet preventive).

Baleti i Kosovës ndan të njëjtin objekt me Teatrin Kombëtar të Kosovës.

 

Shfaqja ‘Andërr’ hap sezonin vjeshtor të Baletit Kombëtar

Salla e ushtrimeve të BKK-së. Foto: Isa Vatovci
Salla e ushtrimeve të BKK-së. Foto: Isa Vatovci
Salla e ushtrimeve të BKK-së. Foto: Isa Vatovci
Salla e ushtrimeve të BKK-së. Foto: Facebook/Behie murtezi