Konferenca “Kosova 1989-1999”. Foto: KALLXO.com.

Organizimi dhe qëndresa për çlirim gjatë periudhës 1989-1999 në Kosovë

Në 25-vjetorin e çlirimit të Kosovës, në Institutin e Historisë, “Ali Hadri” në Prishtinë, ka nisur punimet konferenca shkencore dyditore, “Kosova 1989-1999: organizimi dhe qëndresa për çlirim”.

Në këtë konferencë, të organizuar nga IH- “Ali Hadri” dhe Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore i Shqiptarëve (ITSHKSH ) në Shkup të Maqedonisë së Veriut, po marrin pjesë mbi 45 historianë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Lugina e Preshevës dhe nga diaspora.

Përgjatë dy ditëve, aty do të shpalosen prurjet e reja shkencore lidhur me zhvillimet e dhjetëvjetëshit të fundit të Shekullit XX në Kosovë, konkretisht në lidhje me rezistencën e përgjithshme deri në çlirimin e plotë me hyrjen e forcave të NATO-s.

Drejtoresha e IH- “Ali Hadri”, Teuta Shala- Peli, tha në ceremoninë e hapjes se çlirimi i Kosovës 25 vjet më parë bëri kthesë të rëndësishme për popullin kosovar.

Ajo tha se çlirimi i Kosovës është meritë e heronjve të saj, popullit shqiptar, por edhe e aleatëve ndërkombëtarë.

‘Të arriturat shkencore për rezistencën dhe çlirimin e popullit të Kosovës që do të prezantohen në këtë konferencë do të jenë shumë  rëndësishme për historiografinë në përgjithësi”- tha drejtoresha, Shala -Peli.

Gjatë 25-vjetëve në liri, sipas saj, Kosova ka pasur përparime në të gjitha fushat, duke përfshirë edhe ato shkencore.

Ndërkaq, Skënder Asani, drejtor i ITSHKSH në Shkup, tha gjatë fjalës së tij,se  25- vjet më parë në një Aeroport Sportiv në Kumanovë (Maqedoni e Veriut), më 9 qershor (1999) Serbia nënshkroi kapitullimin  dhe me këtë iu dha fund aventurës hegjemoniste gati një shekullore të saj në Kosovë.

“Kumanova në memorien serbe i ka dy kuptime – në njërën anë frymën triumfaliste pas Betejës së Kumanovës në vitin 1912, atëherë kur Serbia përmes ekspansioneve mbi tokat e fqinjve e ngriti perandorinë e vet pushtuese, dhe në anën tjetër, gjunjëzimin pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Kumanovës më 9 qershor 1999, që solli edhe shkëputjen definitive të lidhjeve shtetërore-administrative të Serbisë me Kosovën”- tha ai.

Konferenca shkencore Kosova 1989-1999: organizimi dhe qëndresa për çlirim”, e hapur më 13.06.2024, mbyllet të premtën me shpalimin e kumtesave nga historianët pjesëmarrës.