Objekti pa leje brenda rrethojave të Muzeut të Kosovës. Foto: Kallxo.com

Objekti pa leje në oborrin e muzeut, Inspektorati kërkon largimin tij

Afërsisht dy vjet më parë Muzeu Kombëtar i Kosovës kishte vendosur një objekt montazh në hyrje të tij, me qëllim që të rriste sigurinë në muze, sigurinë e artefakteve dhe Modelariumit përballë MKK-së.

Por, ky veprim i MKK-së po del të jetë në kundërshtim me ligjin për trashëgiminë. Kjo e ka shtyrë Inspektoratin e Trashëgimisë Kulturore që vepron në kuadër të MKRS të kërkojë largimin e objekti, ose në rastin më të mirë, një kërkesë për leje nga MKK-ja në organet kompetente.

Përveç se është vendosur duke shkelur ligjin, IT vendimin e tij për objektin e mbështet edhe në konstatimin e Qendrës Rajonale të Trashëgimisë në Prishtinë, se objekti cenon dukshëm fasadën ballore, hyrjen kryesore të ndërtesës si dhe peizazhin urban të ansamblit.

Shqetësimi për sigurinë

Objekti pa leje brenda rrethojave të Muzeut të Kosovës. Foto: Kallxo.com

Në lidhje me këtë zyrtarë të Muzeut të Kosovës kanë thënë për KALLXO.com se pasi kanë marrë porosinë e IT –së, Ministria ka kërkuar nga Policia e Kosovës që të bëjë për vlerësimin e rrezikshmërisë së objektit dhe koleksionit të Muzeut Kombëtar të Kosovës, për të vepruar sipas rekomandimeve të IT-së.

Alisa Gojani-Berisha, ushtruese e detyrës së drejtorit të MKK-së, ka thënë në një prononcim për KALLXO.com se në korrik të këtij viti Muzeu ka marrë një kërkesë nga Inspektorati për Trashëgimi Kulturore në MKRS lidhur me objektin montazh në hyrje të MKK, dhe sipas tyre nuk posedon lejen e përkohshme.

Ajo ka thënë se në hapësirën përreth oborrit të Muzeut, si pasojë e punimeve restauruese të vazhdueshme për disa vite të Xhamisë së Çarshisë (Gurit) shpesh herë kanë ndodhur incidente të cilat janë të raportuara në organet e rendit, çka sipas drejtuesve të muzeut ishte parë e arsyeshme vendosja e një objekti të tillë.

Ky objekt montazh, sipas Gojani-Berishës,  momentalisht kryen funksionin e sigurimit fizik dhe gjithashtu është e vendosur edhe një pjesë e sistemit të monitorimit përmes kamerave për mbikëqyrjen e objektit dhe artefakteve muzeore (monitorim i objektit brenda dhe jashtë).

“Ne  kemi kërkuar një asistencë edhe nga Policia e Kosovës për vlerësim të rrezikshmërisë, dhe jemi duke e pritur raportin e vlerësimit të rrezikshmërisë së objektit dhe koleksionit të Muzeut Kombëtar të Kosovës. Me të marrë raportin, do të vazhdojmë me procedurën për leje nga Institucioni kompetent-IKMM”, ka thënë ajo.

Reagimi i IT-së

Objekti pa leje brenda rrethojave të Muzeut të Kosovës. Foto: Kallxo.com

Në anën tjetër, përmes një përgjigjtë për KALLXO.com, MKRS potencon se ky objekt montazh është vendosur në hyrje të oborrit të MKK pa parashtruar kërkesë paraprake në institucionet kompetente të trashëgimisë kulturore për marrjen e pëlqimit, duke kërkuar muzeu pëlqim nga institucionet kompetente të trashëgimisë kulturore ose të njëjtën ta largojë.

Pas kësaj, MKRS ka pranuar një kërkesë nga menaxhmenti i muzeut ku është kërkuar një  afat për për largim të objekti montazh, për shkak se janë të vendosura kamerat e sigurisë në atë objekt montazh dhe është duke u zhvilluar procedura për vlerësim të rrezikut të MK nga Policia e Kosovës.

“Inspektorati për Trashëgimi Kulturore është në pritje të përfundimit të këtyre procedurave për marrjen e pëlqimit dhe nëse në afatin e përcaktuar nuk përfundohen të njëjtat, atëherë do të marrë masat dhe veprimet në përputhje me legjislacionin në fuqi”, thuhet në përgjigjen e MKRS-së.

Objekti pa leje brenda rrethojave të Muzeut të Kosovës. Foto: Kallxo.com