Foto: Kallxo.com
Objekti i leckosur i Muzeut Etnologjik, ‘Emin Gjiku’ në Prishtinë
Për më se dy vjet objekti kryesor i Kompleksit të Muzeut Etnologjik,“Emin Gjiku” në Prishtinë mbetet i mbështjellë më një rrjetë të leckosur në pritje të fillimit të renovimit.
Qysh në 2017 Ministria e Kulturës nisi restaurimin e këtij muzeu. Në fillim vetëm nga punëtorët e tij, të cilët larguan artefaktet e prezantuara dhe bën gërryerjen e fasadës së murit të ndërtesës.
Por, gjithçka ka mbetur me kaq dhe deri më sot nuk është bërë ndonjë punë për përmirësimin e gjendjes së objekti të këtij muzeu. Objekti vazhdon të mbetet mbështjellë më një rrjetë të leckosur në pritje të fillimit të renovimit.
Zyrtarë të Ministrisë së Kulturës nuk kanë kthyer përgjigje në interesimin e Kallxo.com rreth vonesave dhe hapat që po merren për renovimin e objektit.
Në maj të këtij viti zyrtarë të MKRS kishin thënë për Kallxo.com se MKRS kishte zotuar rreth 130 mijë euro për renovimin e këtij objekti.
Edhe në skenën buxhetor të MKRS për këtë vit, për investime në trashëgiminë kulturore, janë paraparë 130 mijë euro për renovimin e këtij muzeu, i cili pritet të zgjas së paku për dy vjet.
Kallxo.com ka kontaktuar zyrtarë të MKRS dhe të Muzeut Kombëtar të Kosovës, nën menaxhimin e të cilit është edhe Kompleksi “Emin Gjiku” por ata nuk ka qenë të gatshëm të flasin për rastin.
Rreziku nga shkatërrimi
Në anën tjetër, Këshilli i Kosovës për Trashëgiminë Kulturore (KKTK) ka shprehur shqetësimin e tij në lidhje me trajtimin që po u bëhet aseteve të trashëgimisë kulturore.
Në një përgjigje për Kallxo.com, KKTK konstaton se Kompleksi “Emin Gjiku” është aset nën mbrojtje të përhershme që nga viti 2016, bazuar në vlerat historike, artistike, dhe paraqet një ndër shembujt më të mirë të shtëpive qytetare të fillimit të shek. XIX.
Sipas KKTK, zvarritja dhe mos përfundimi i punimeve e ka lënë këtë aset të trashëgimisë kulturore jashtë funksionit dhe me rreziqe të dëmtimeve të pariparueshme.
As ky projekt sikurse projektet e tjera, shton më tej KKTK nuk është dorëzuar për vlerësim në Këshillin e Kosovës për Trashëgimi Kulturore siç parashihet me nenin 5.2 të Ligjit për Trashëgimi Kulturore.
“Neglizhenca e institucioneve, mungesa e kontrollit dhe llogaridhënies janë disa nga faktorët kryesor që po çojnë në shkatërrimin dhe dëmtimin e trashëgimisë kulturore. Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore u ofron bashkëpunim të gjitha institucioneve të trashëgimisë kulturore dhe palëve të interesit për ruajtjen dhe promovimin e aseteve të trashëgimisë kulturore të Kosovës”, thuhet në përgjigjen e KKTK për Kallxo.com
Neglizhenca institucionale
Ndërsa Bashkim Lajçi, etnolog, ka potencuar në një përgjigje për Kallxo.com se institucionet tona, në përgjithësi dhe MKRS në veçanti, asnjëherë nuk kanë treguar interesim tëmjaftueshëm për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore.
“Kur këtë e them kam parasysh gjendjen jo të mirë të kësaj trashëgimie pothuaj kudo, dhe së këndejmi edhe rastin e Muzeut Etnologjik, përkatësisht kompleksin e ‘Emin Gjikut’ ku është i vendosur ky muze. Arsyetimet e kësaj ministrie për mungese të mjeteve materiale, janë bërë shume ‘bajate’ dhe tani më askush nuk u beson”, ka thënë Lajçi
Historiku i Muzeut ‘Emin Gjiku’
Kompleksi “Emin Gjiku” gjendet në bërthamën e vjetër të qytetit të Prishtinës. Është ndërtuar në fillim të shek. XIX dhe ishte pronë e familjes së njohur Gjinolli.
Kompleksi përbëhet nga dy oborre të mëdha: oborri në hyrje me stallë dhe me një ndërtesë guri dhe oborri i brendshëm në të cilin gjendet shtëpia e familjes dhe shtëpia e miqve, që aktualisht i shërbejnë Muzeut Etnologjik.
Objekti gjendet në listën e aseteve të Trashëgimisë nën mbrojtje të përhershme. Më parë në këtë kompleks ishte i vendosur Muzeu i Natyrës.