Foto: Facebook/Komuna e Podujevës

Objekti i ish-restorant 'Beni Dona’ në Podujevë shndërrohet në galeri të artit

Qyteti i Podujevës shumë shpejt do të bëhet me galeri të artit. Objekti i ish-restorant “Beni Dona”, do të përshtatet dhe hapësirat e tij do të shfrytëzohen për funksionalizimin e galerisë së artit të këtij qyteti.

Zyra për Marrëdhënie me Publikun dhe Informim e kësaj komunës, përmes një njoftimi në Facebook ka bërë të ditur se drejtoresha e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Elhame Kutllovci, ka vizituar sot hapësirat e ish-restorantit “Beni Dona”, për të parë mundësitë që ofron ky objekt për shndërrimin e tij në galeri të artit.

Sipas drejtoreshës Kutllovci, me projektin që do të hartohet nga komuna, ky objekt do të transformohet dhe në këto hapësira do të krijohen kushte të mira për artistët e artit pamor.

“Bazuar në mundësitë buxhetore, me realizimin e fazës së parë të këtij projekti do të fillojmë këtë vit, kjo do të bëhet me qëllim të përmbushjes së kërkesave dhe nevojave të artistëve të artit pamor të cilët edhe sot e kësaj dite nuk kanë hapësira të destinuara për zhvillimin e punës dhe aktiviteteve të tyre”, ka thënë Kutllovci gjatë vizitës së saj në këtë objekt.

Për shkak se DKRS nuk ka buxhet të mjaftueshëm për realizimin e plotë të këtij projekti, Komuna e Podujevës do të kërkojë mbështetje nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Foto: Facebook/Komuna e Podujevës
Foto: Facebook/Komuna e Podujevës