Norika Sefa: Foto: NS

Norika Sefa: Duhet shumë punë për një industri të mirëfilltë të filmit në Kosovë

Filmi “Në kërkim të Venerës” me regji të Norika Sefës, renditet ndër film më të suksesshëm të kinematografisë kosovare.

Deri më tani, filmi i Sefës është prezantuar në më se 10 festivale ndërkombëtare të filmit, duke rrëmbyer edhe disa prej çmimeve kryesore.

Së fundmi, filmi i saj, “Në kërkim të Venerës” ka marrë çmimin “Regjisorja më e mirë” (Best director) në festivalin “Tarkovsky Film Festival” në Rusi.

Filmi “Në kërkim të Venerës” ka marrë “Çmimin Special të jurisë” (Special Jury Award) në Festivalin e Filmit në Roterdam të Holandës, çmimi për promovimin e barazisë gjinore në Festivalin e Filmit në Sarajevë, dy çmime në festivalin e Filmit në Hong Kong, atë për “Regjinë më të mirë dhe “Aktorja më e mirë”. Ndërkaq, në Festivalin e Filmit në Spanjë, ”Festival Interncaional de Cine de Valencia”, ky film mori çmimin për “Aktoren më të mirë”, i cili iu nda Kosovare Krasniqit.

Në një bisedë për KALLXO.com, regjisorja Sefa ka thënë se “Në kërkim të Venerës” këtë muaj planifikohen edhe pesë premiera tjera ndërkombëtare të këtij filmi.

“Filmi do të shfaqet edhe në festivalin ‘IndieLisboa’ në Lisbonë dhe në festivalin  e filmit në Haifa në Izrael. Po ashtu do të shfaqet edhe në disa festivale tjera, por, për to mund të flasim vetëm pas njoftimit zyrtar nga festivalet”, ka thënë Sefa.

Skenë nga filmi ‘Në kërkim të Venerës’. Foto: NS

Industria filmike

Ajo ka thënë se pavarësisht sukseseve të 2021, Kosova ende nuk ka arritur të ketë një industri të mirëfilltë të filmit.

“Deri me tash gjithçka ka ecur ngase ka pas shumë dëshirë për krijimin e filmave. Filmat që sot janë, janë rezultat i një pune 7-10 vjeçare. Por, për me pas filma, ose më mirë me thënë, nëse duam që secili vit të jetë i frytshëm sikurse 2021, na duhet një strategji e fortë, buxhet me i madh, e ekip i njerëzve që kanë me dashtë me punu me ngrit filmin në nivelin e industrisë”, ka thënë Sefa.

Ndërsa, prezantimin e filmave në festivale ndërkombëtare, e konsideron mundësi për promovim të shtetit të Kosovës dhe krijimin e bashkëpunimeve për zhvillimin e filmit kosovar.

“Pra, do të ketë më shumë interes nga festivalet, prodhuesit dhe kështu me radhë, kjo do të thotë që më shpejt do të kemi një qasje më të lehtë në qarqe të ndryshme filmike. Gjithashtu, bashkëpunimet ndërkombëtare që mund të ndodhin, do të sjellin më shumë larmi në gjuhën e filmit dhe kjo është gjithmonë shumë e mirë”, ka pohuar regjisorja Sefa.

Përvojat në Peru

Përveç filmit, “Në kërkim të Venerës”, ajo ka bërë regjinë edhe të dy filmave të shkurtër, “Desde Arriba” dhe “Kiss me, now”, të dy të realizuar vitin që shkoi.

“Po e ceku filmin ‘Desde Arriba’ (2020) i xhiruar nën drejtimin e Werner Herzog, ky është një film që kam xhiruar në Peru, pas një periudhe të qëndrimit në xhungël atje, dhe ‘Kiss me, now’, (2020), i cili u shfaq premierë në ‘Dokufest’”, ka thënë ajo.

Skenë nga filmi ‘Në kërkim të Venerës’. Foto: NS
Norika Sefa: Foto: NS