Kino Rinia

Një javë pas, dëmet që shkaktoi zjarri në objektin e ish-“Kino Rinisë"

Objekti i njërës prej kinemave më të vjetra të Prishtinës, “Kino Rinisë”, monument ky i mbrojtur, më 07.02.2025 ishte kapluar nga zjarri.

Një javë pas, pasojat nga zjarri janë të dukshme në këtë objekt.

Zjarri ka djegur kulmin, i cili ka rënë në pjesën dërrmuese të sallës së vogël, në katin e parë të objektit.

Zyrtarë të Komunës së Prishtinës kanë thënë se tek këtë të premte, më 14.02.2025, kanë marrë një raport nga Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore (IKT) se si duhet të veprojnë lidhur me vlerësimin dhe sanimin e dëmeve që ka shkaktuar zjarri në “Kino Rinia”.

Lulzim Fushtica, drejtor për Siguri dhe Emergjenca në Komunën e Prishtinës, tha se janë marrë disa hapa për vlerësimin e dëmeve të shkaktuara nga zjarri në objekt.

“Hapi i parë është që policia ka filluar hetimet lidhur me shkaqet e zjarrvënies. Ende nuk e kemi një raportim se cili është shkaku. Ne jemi në kontakt të vazhdueshëm me Ministrinë e Kulturës, përkatësisht Qendrën Rajonale të Trashëgimisë Kulturore të Prishtinës, për masa që do të merren për vlerësimin e dëmeve dhe masave që duhet marrë për skanimin e dëmeve”- ka thënë drejtori Fushtica për KALLXO.com, duke shtuar se nga java e ardhshme do të veprohet sipas rekomandimeve të dhëna nga ITK-ja.

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit nuk i është përgjigjur interesimit të KALLXO.com për një prononcim lidhur me masat që duhet të merren për sanimin e dëmeve.

Por, në rekomandimin e Inspektoratit të Trashëgimisë Kulturore, të cilin e ka parë KALLXO.com, thuhet se zjarri mund të jetë shkaktuar qëllimisht ose jo, nga ndonjë zjarr ose cigare nga persona të pastrehë.

“Kino Rinia” është njëra ndër kinematë më të vjetra të Prishtinës. Objekti për vite të tëra ka mbetur jashtë funksionit.

Nga viti 2021, objekti i “Kino Rinisë” është futur në listë të mbrojtjes, kurse nga viti 2022 objekti kaloi në pronësi të Komunës së Prishtinës.