Një film për racizmin shfaqet sot në Kino Armata

Kinemaja Armata në Prishtinë shfaq sot, 1 tetor 2019, në mbrëmje duke filluar nga ora 20:00 filmin, “Concerning Violence” me regji të Göran Olsson.

Filmi shfaqet në kuadër të aktivitetit të Javës së filmave mbi racizmin (1-3 tetor 2019) “We are racist” që do të mbahet në këtë kinema.

“Concerning Violence” është film dokumentar i vitit 2014, i cili rrëfen ngjarjet e lëvizjeve nacionaliste dhe të pavarësisë afrikane të viteve 1960 dhe 1970, të cilat e sfiduan pushtetin kolonial të pakicës së bardhë.

Filmi është i bazuar në esenë e Frantz Fanon, Concerning Violence, prej librit të tij të vitit 1961 “The Wretched of the Earth”, derisa këngëtarja dhe aktorja amerikane Lauryn Hill është narratore e versionit të filmit në gjuhën angleze.

Pas filmi do të mbahet edhe një bisedë me Bronwyn Jones, konsultante e pavarur e zhvillimit – me specializim në media – shkrimtare dhe redaktore nga New York City.